
Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherësh Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje, Daut Xhemajli, sot ka marrë pjesë në konferencën "Reintegrimi i Viktimave të Dhunës dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore në Kosovë -Sfidat dhe Veprimi”, e organizuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP) përmes projektit Iniciativa për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gruas Plus.
Në këtë konferencë para të pranishmëve, Zëvendësministri Xhemajli tha se po punojnë për një trajtim të barabartë gjinor në shoqërinë kosovare, përkundër sfidave që po paraqiten . Ai tha se Kosova ka krijuar dhe po funksionojnë mekanizma institucional të cilët kanë rol dhe përgjegjësi në parandalimin e dhunës në familje, duke filluar nga Koordinatori Nacional si organ individual dhe përgjegjës për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve të parapara në programin e Kosovës Kundër Dhunës në Familje, në bashkëveprim me Grupin Koordinues Ndër-Ministror Kundër Dhunës në Familje.
Zëvendësministri Xhemajli tha se angazhimi për ri-integrim të viktimave, paraqet një sfidë të madhe për institucionet e Kosovës, por është i domosdoshëm veprimi i koordinuar i të gjithë akterëve në procesin e mbrojtjes dhe ri-integrimit të viktimave të dhunës në familje.