Skip to content
Kosova nuk ka listë të personave për t’i arrestuar

Kosova nuk ka listë të personave për t’i arrestuar

Prishtinë, 01/08/2013

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me deklaratat e djeshme spekulative për ekzistimin e një liste të personave  të cilët planifikohen të arrestohen nga autoritetet kosovare. Deklaratat e fundit në media për ekzistimin e kësaj liste sekrete që përmban emrat e serbëve janë thjeshtë spekulative, të pabaza dhe janë pjesë e një propagande të orkestruar që ka për qëllim pengimin e proceseve paqësore dhe demokratike.

Spekulimet e tilla janë kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe e pengojnë implementimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në prill të këtij viti. Si të tilla, këto dezinformata të shpërndara në media nuk janë në funksion të të mirës së qytetarëve të Kosovës, e as atyre të Serbisë.

Republika e Kosovës e respekton rendin juridik ndërkombëtarë dhe standardet ndërkombëtare në të gjitha procedurat kriminale që inicohen në përputhje me procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi.

Në këtë kontekst të gjitha rastet e krimeve potenciale shqyrtohen individualisht, bazuar në përmbajtje nga institucionet relevante gjyqësore që veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.  Në asnjë mënyrë nuk shfrytëzohen si pjesë e ndonjë fushate propagandistike. 

Skip to content