Skip to content
Krijohet Databaza Kombëtare e të Mbijetuarve të Dhunës në Familje dhe Dhunës Kundër Grave

Krijohet Databaza Kombëtare e të Mbijetuarve të Dhunës në Familje dhe Dhunës Kundër Grave

Prishtinë, 12/03/2018

 
Përfaqësueset nga UN Women kanë njoftuar ministrin Tahiri për krijimin e Databazës Kombëtare të të Mbijetuarve të Dhunës në Familje dhe Dhunës kundër Grave, databazë kjo që pritet të kaloj në Ministrinë e Drejtësisë, konkretisht në përgjegjësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Dhunës në Familje. 

Nga ana e tij, ministri Tahiri ka mirëpritur krijimin e kësaj databaze, duke ka theksuar se pavarësisht që konventat ndërkombëtare zbatohen direkt në Kosovë dhe legjislacioni është në frymën evropiane, kërkohet angazhim më i madh në vetëdijesimin e viktimave për raportimin e rasteve të dhunës në familje. 

“Një problem në vendin tonë, i cili është edhe problem global, është raportimi i ulët i rasteve të dhunës në familje. Andaj, kjo databazë do të ndihmoj në rritjen e numrit të raportimeve si produkt i vetëdijesimit rreth të drejtave, rritjes së besimit në institucione dhe masave tjera mbrojtëse” ka theksuar ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka siguruar se do të mbetet i përkushtuar për të funksionalizuar këtë databazë, që mbështetet nga projekti i Bashkimit Evropian “T’i japim fund dhunës kundër grave në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi: Duke zbatuar normat dhe ndryshuar mendjet”.

“Si ministër i Drejtësisë, jam i përkushtuar që të krijoj një mjedis legjislativ të përshtatshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare për eliminimin e dhunës kundër grave; të promovoj normat dhe qëndrimet e favorshme shoqërore për barazinë gjinore dhe për të parandaluar diskriminimin dhe dhunën kundër grave.

Besoj fuqishëm se së bashku do t’i fuqizojmë gratë, përfshirë këtu edhe ato që u përkasin grupeve të cenuara, të cilët kanë përjetuar diskriminim ose dhunë” ka thënë ministri Tahiri.
 

Foto Galeria

Skip to content