
Në konferencën për media, Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu, adresuan rëndësinë që bartë në vete procesi i vettingut duke marrë shkas nga gjendja e rënduar e sistemit të drejtësisë, dhe kërkesesë së vazhdueshme qytetare për reformën në drejtësi.
"Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemi, e edhe ata më skeptikët për vettingun", tha Kryeministri Kurti.
"Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjanë sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës. Dhunuesi lirohet pas 8 muajsh burgim. Dhunuesi nuk rehabilitohet. Dhunuesi përsëritë veprën. E madje dhunuesi edhe vret", u shpreh Kryeministri në fjalën e tij.
Ministrja Haxhiu tha se, Reforma në drejtësi mundëson që në sistemin e drejtësisë të jenë vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë. Njësoj duhet të jetë edhe për nivelet tjera të pushteteve.
"Duke qenë që versioni të cilin po e dorëzojmë sot është në përputhje të plotë me rekomandimet që kanë dal nga Opinioni i Komisionit të Venecias, besoj tashmë gjithçka është më e pasqyruar dhe do të jetë më e lehtë që të procedojnë tutje me këto ndryshime", tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Për përmbylljen e këtij procesi, Kuvendi i Kosovës do ta ketë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë, përmes ekspertizës dhe punës konkrete.
Pas konsultimeve me grupet parlamentare, drafti i amendamenteve kushtetuese (pas adresimit të komenteve nga Komisioni i Venecias) dhe projektligji për vettingun, iu kalua zyrtarisht, institucionit më të madh të Republikës së Kosovës, Kuvendit të Republikës.