
Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, duke kuptuar pasojat fatkeqe të këtyre dukurive në shoqërinë tonë, ndërkaq kujtoi edhe vrasjen e disa ditëve më parë të një gruaje, kur pikërisht në ditën e hapjes së fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore’’ ajo vra barbarisht nga bashkëshorti i saj.
‘’Nuk mund të lejojmë që dhuna e këtillë, brenda familjes, të përsëritet. Kemi krijuar mekanizma që ndjekin krimin dhe llogarisim në sistemin gjyqësor të pavarur e efikas që të bëjë detyrën e tij. Përmes aktivizmit shoqëror ne e kemi obligim të parandalojmë dhunën në familje dhe dhunën me baza gjinore’’, u shpreh kryeministri Kurti, derisa e bëri të qartë se si shtet, përmes prokurorisë efikase e gjyqësorit të urtë e të palëkundur në vendimmarrje, duhet të dërgojmë mesazhin që dhuna persekutohet, gjykohet e dënohet në mënyrën më të fuqishme.
Kryeministri Kurti po ashtu u shpreh i shqetësuar edhe me mungesën e prokuroreve dhe gjyqtarëve në këtë ngjarje, institucione këto cilat luajnë rol kyç në luftimin e dhunës.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri kërkoi që si shoqëri, si institucione, si qytetarë nuk duhet të lejojmë as edhe një viktimë më shumë në betejën tonë kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
Përderisa Ministrja Haxhiu kërkoi që viktimat e dhunës, abuzimit apo sulmit, të trajtohen me dinjitet nga personat kompetent dhe vuri në pah se hallka institucionale duhet të funksionojnë në sinkron me njëra tjetrën që rezultati të mos jetë fatalitet për viktimat.
“Mos harroni se nëse një hallkë e shtetit dështon apo vetëm e neglizhon punën në rastet të tilla, atëherë pasojat janë shumë të mëdha. Pasojat nuk janë vetëm të mëdha por edhe disa raste përfundojnë me fatalitet. Sapo kryesi e sheh mundësinë që institucioni në çfarëdo forme po lë hapësirë kundrejt viktimës, ai vepron kundër trupit apo integritetit të saj, duke e quar në fatalitet në shumë raste”, tha ministrja Haxhiu.
Ministrja kërkoi nga gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës, të respektohen ligjet e Kosovës që dënojnë veprimet negative dhe kryerësit e veprave penale të dhunës të marrin dënimin e merituar.
“ Sot këtu me ne duhet të ishin gjyqtarët dhe prokurorët që mungojnë për shkak të një vendimi të Qeverisë për kthimin e pagave siç i kishin para vendimit të kundërligjshëm të Qeverisë Haradinaj. Meqë nuk janë, e kam obligim që publikisht të kërkoj respektim maksimal të ligjit e kodeve që dënojnë veprimet negative e që kryesit të marrin atë dënim që meritojnë”, tha ministrja Haxhiu.
Në anën tjetër, Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla theksoi se dhuna kudo që ndodhë, pavarësisht çdo rrethane, nuk është një problem privat që kërkon zgjidhje a pajtim mes palëve por kërkon trajtim të shpejtë dhe efikas nga të gjithë akterët shtetëror.
“Gjatë vitit 2021, janë raportuar 2456 raste të dhunës në familje, kurse gjatë vitit 2022 janë raportuar 2270 raste deri tani. Mjafton të vështrohen viktimat sipas gjinisë në këto raste, për të kuptuar urgjencën me të cilën dhuna në baza gjinore duhet të trajtohet. Prej 2270 rasteve gjatë këtij viti, 1901 viktima janë vajza dhe gra.,” nënvizoi Ministri Sveçla.
Ministri i Brendshëm tha se rritja e këtij fenomeni shqetësues, është kambanë për trajtim urgjent e serioz dhe trajtim në mënyrë të koordinuar të të gjithë akterëve relevantë.
Panelistë të tjerë të respektuar në këtë aktivitet, ishin edhe Vebi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në Prishtinë, Erblina Dinarama nga “Shtëpia e sigurt” Gjakovë, dhe aktivistja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Besarta Breznica.
Kjo ngjarje u organizua nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushatë globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.