
Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu, sot vizituan nga afër organizatën e cila operon për më shumë se 20 vite dhe angazhohet në fushën e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
Me qëllim të mbrojtjes dhe ofrimit të shërbimeve multidisiplinare për fëmijët në rrugë, Ministria e Drejtësisë ka subvencionuar me 25 mijë euro projektin për kujdesin ditor të fëmijëve në gjendje rruge për vitin 2023, kurse në total organizatat e tilla janë subvencionuar me 1.5 milion euro nga buxheti i Ministrisë.
Ministria e Drejtësisë është në procedurë drejt finalizimit të gjashtë Projekt Udhëzimeve Administrative të cilat rrjedhin nga ligji për mbrojtjen e fëmijëve.
Rikujtojmë se më 13.09.2023 Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projekt Ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare i cili e trajton në mënyrë specifike çështjen e mbrojtjes sociale për fëmijët në nevojë sociale dhe fëmijët në situatë rruge, duke konsideruar që shërbimet si këshillimi psikologjik, aktivitetet psikosociale, mësimet plotësuese, përkujdesja ditore në qendra ditore dhe shërbime e aktivitete tjera, minimizojnë mundësinë që fëmijët të gjenden në situatë rruge, kështu duke shmangur rreziqet e dhunës, shfrytëzimit, keqtrajtimit por edhe të trafikimit të fëmijëve.