Skip to content
Kryeministri Kurti, ministrat Haxhiu dhe Murati me angazhim të përbashkët për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve sociale

Kryeministri Kurti, ministrat Haxhiu dhe Murati me angazhim të përbashkët për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve sociale

Prishtinë, 02/02/2023

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se shërbimet sociale për një kohë të gjatë kanë qenë të neglizhuara dhe nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga politika.

“ Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë që Qendrat për Punë Sociale kanë, dhe për gamën e gjerë të shërbimeve që ato ofrojnë, jemi këtu që diskutojmë dhe të njohim vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqoheni si institucione të shërbimeve sociale në mënyrë që gjatë reformës së politikës sociale, si Qeveri të gjejmë zgjidhje për problemet të cilat ju i keni. Pavarësisht që këto qendra menaxhohen nga institucioni i komunës, ne njohim sfidat që ju ballafaqoheni dhe jemi këtu që bashkërisht të gjejmë zgjidhje gjithmonë në interesin më të mirë të qytetarëve”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ndërsa ministrja Haxhiu njoftoi se Departamenti i Shërbimeve Sociale, i cili deri më tani ishte nën kompetencat e MFPT-së, ka kaluar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

“ Ky takim ka për qëllim koordinimin ndërinstitucional për hartimin e politikave sociale, të cilat për ne kanë rëndësi për ngritjen e cilësisë në shërbimet e ofruara për qytetarët në fushën sociale”, tha ministrja Haxhiu duke shtuar që gjatë këtij viti pritet edhe miratimi i Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë tashmë ka themeluar një komision i cili do të merret me identifikimin e nevojave, sfidave dhe problemeve të këtyre institucioneve, pjesë e të cilit do të jenë edhe përfaqësuesit e QPS-ve.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje për zgjidhjen e problemeve sociale.

Skip to content