
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, Kryeprokurorin, Ismet Kabashi, Kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani dhe Shefin e Komponentës Ekzekutive në EULEX-së, Mats Mattsson.
Në këtë takim u bisedua për koordinimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë për reformimin e këtij sistemi në përgjithësi, me thekës të veçantë për sfidat me të cilat po ballafaqohen institucionet e sistemit të drejtësisë, pas fillimit të punës me sistemin e ri të organizimit.
Në takim u vlerësua si i nevojshëm trajnimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve, tani pas fillimit të punës me sistemin e ri të organizimit të gjykatave dhe prokurorive, ku lidhur me këtë, Ministri Kuçi shprehu mbështetjen e tij dhe të Ministrisë së Drejtësisë për fillimin e trajnimit për përgatitjen sa më të mirë të gjyqtarëve, prokurorëve e policëve, në mënyrë që puna e tyre të jetë konform ndryshimeve që janë bërë.
Po ashtu, u bisedua për koordinim sa me të madh me EULEX-in, me të vetmin qëllim që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë shërbime sa më të mira dhe me efikase në fushën e drejtësisë.
Ministri Kuçi edhe një herë shprehi gatishmërinë e tij për të mbështetur kërkesat e organeve të gjyqësorit, në mënyre që të mundësohet një reformim sa më i mirëfilltë dhe i lehtë për institucionet dhe qytetarët.