
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë solemnet të festimit të 40 vjetorit të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Me këtë rast, Ministri Kuçi vlerësoi se avokatia është një nga hallkat e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe avokatët i cilësoi si gardianët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut para çdo institucioni legal të shoqërisë kosovare.
“Ne bashkërisht duhet të kuptojmë se qëllimi përfundimtar i ligjit duhet të jetë drejtësia dhe kësisoj pra është e nevojshme që njerëzit të mos e humbin besimin në të. Pasuria më e madhe e sistemit të drejtësisë është besimi i njerëzve në të. Humbja e besimit në sistemin e drejtësisë është fund i sundimit të ligjit për atë shoqëri”, tha Kuçi.
Duke dhënë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, Ministri Kuçi tha se avokatëve të Kosovës do t’i përmirësohet infrastrukturën ligjore dhe shtoi se përmes bashkëpunimit me Odën, kanë vazhduar traditën e shkëlqyeshme me delegimin që Oda i bënë me përfaqësuesit e saj në çdo grup punues për nxjerrjen dhe ndryshimin e ligjeve të ndryshme – sponsor i të cilave është Ministria e Drejtësisë.
Ministri tha se Oda do të ketë rolin e saj meritor si dhe do të përfaqësohet denjësisht në të gjitha projektet e Ministrisë së Drejtësisë, siç është Akademia e Drejtësisë etj. Ai kërkoi që gjatë punës së tyre avokatët të kërkojnë shqiptim më të madh të dënimeve alternative, ndërsa tha se në mes të avokatisë dhe disa profesioneve tjera siç janë ndërmjetësimi, noteria, në të ardhmen edhe përmbaruesit privat, do të rregullohen të gjitha keqkuptimet e mundshme të kompetencave dhe se kjo do të rregullohet duke u bazuar në akte ligjore.