Skip to content
Kuçi: Bashkëpunimi rajonal i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar

Kuçi: Bashkëpunimi rajonal i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar

Prishtinë, 24/09/2012

 Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, kanë organizuar Simpoziumin Rajonal për Konfiskim dhe Dëshmi Financiare, në të cilin përveç përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës, po marrin pjesë edhe përfaqësues nga Republika e Shqipërisë, Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë.

Hapjen e këtij simpoziumi është bërë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Para pjesëmarrësve të këtij simpoziumi, Ministri Kuçi tha: “Është kënaqësi e imja e veçantë sot të jem me ju për të diskutuar disa nga temat që ne në Ministrinë e Drejtësisë dhe në përgjithësi në Qeverinë e Kosovës i kemi kushtuar shumë rëndësi, punë dhe përkushtim.

Paraprakisht, më lejoni të falënderoj partneritetin pashoq e të përhershëm të Ambasadës Amerikane veçanërisht në organizimin e këtij simpoziumi, e cila ka mundësuar që një temë e këtillë e rëndësishme profesionale, të shqyrtohet nga mysafirë dhe folës kaq të dalluar si këta sot. 

Luftimi i krimit në përgjithësi nuk është asnjëherë i lehtë. Por, në mesin e tyre, akoma më i vështirë është luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, i cili sot të ne njihet si një ndër fenomenet më shkatërrimtare të së ardhmes sonë të qetë, Evropiane dhe stabile. Me atë sa është parë tash e një kohë në Kosovë, vështirësitë më të mëdha në këtë drejtim janë hasur pikërisht në mbledhjen e dëshmive financiare dhe në konfiskimin e pasurisë. 

Gjatë këtij vitit të fundit, prej ditës kur unë kam filluar udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, kjo Ministri është përpjekur në mënyrën e saj më të mirë dhe më urgjente të adresojë këto kërkesa themelore të prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë. Këtë iniciativë e kemi nisur së pari me amandamentimin e Kodit Penal, i cili sot mund të them që përbën njërin nga kodet më moderne jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Me këtë Kod, ne kemi futur praktikat më të mira botërore në luftimin llojeve të ndryshme të krimit, por me fokus të veçantë në krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kështu, grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, me bashkëpunimin e veçantë të ekspertëve të Ambasadës Amerikane, ka punuar posaçërisht në ri-definimin e këtyre veprave penale, në ashpërsimin dhe kufizimin më të mirë të dënimeve, dhe shumë elemente të tjera që sot bëjnë të pamundur shmangien e dënimit për këto vepra penale. 

Më pas, kemi punuar shumë në krijimin e një Kodi të ri të Procedurës Penale, i cili do t’i përshtatej Kosovës, ndryshimeve dhe reformimeve në sistemin e tij, por përsëri synimin kryesor me amandamentimin e këtij Kodi e kemi pasur në lehtësimin e mundësive të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të luftuar krimin e organizuar. Kjo ka qenë porosia ime kryesore për grupin punues para se të fillojnë punën e tyre që sot ka rezultuar me një draft shumë të çmuar të Kodit të Procedurës Penale. Kodi, që shpejtë pritet të votohet në Kuvend, është shqyrtuar edhe në një debat publik në Kuvend, prej ku mund të themi lirshëm se kemi marrë lëvdata të shumta për cilësinë e ndryshimeve që janë synuar me këtë Kod. Përsëri, këtu shfrytëzoj rastin të falënderoj ekspertizën e ofruar nga stafi i Ambasadës Amerikane, dhe në përgjithësi mbështetjen e tyre për të çuar këtë Kod përpara. 

Ndërkaq, hapi i tretë e ndër më sfiduesit në këtë drejtim ishte përpilimi dhe dërgimi në Kuvend i Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim të pasurisë së fituar me vepër penale. Siç e dini, përpilimi i këtij ligji është përcjellë me shumë debat në opinion publik, shpeshherë jo konstruktiv. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka bërë çdo gjë të mundur për të siguruar që do të mund t’i balancojmë dy elemente kyçe: nevojat dhe mundësitë e shtetit të Kosovës tani në njërën anë, dhe kërkesat e pritjet e shoqërisë civile dhe qytetarëve në anën tjetër. 

Kur kemi filluar me draftimin e këtij ligji, kemi hasur në shqetësime të shumta nga shumë bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur dyshimin për sigurinë juridike dhe mundësinë e keqpërdorimi apo aplikimit të gabueshëm të procedurave që shpesh janë propozuar nga jashtë e që do të mund të rrezikonin shkeljen e të drejtave të qytetarëve tanë.

Kam përmendur shpesh si shembull, lehtësinë që në një vend të BE-së të dëshmohet prejardhja e pronës, përmes dokumentacionit që daton nga madje shekuj më parë, që nuk është shkatërruar nga asnjë luftë, e sidomos edhe ndërlidhur me traditën e tyre të gjatë juridike dhe mundësitë ekonomike që kanë sot. Të gjitha këto lehtësojnë dukshëm si barrën e Prokurorit për të dyshuar prejardhjen jo-legjitime të pasurisë, ashtu edhe barrën e qytetarit për të dëshmuar se pasuria e tij në fakt është legjitime. Megjithatë, në Kosovë mundësia e tillë është mjaft e kufizuar. Prandaj, duke i pasur parasysh këto kufizime objektive që Kosova i ka, jemi munduar që të krijojmë një ligj i cili përmbushë këto kërkesa të BE-së, por i cili gjithashtu është i përshtatur për ambientin e Kosovar. Dhe për këtë, dispozitat siç mund t’i quajmë “të rregullta” të konfiskimit i kemi përfshirë në Draftin e ri të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa ky ligj përmban procedura të veçanta, që i kemi quajtur “kompetenca të zgjeruara të konfiskimit”. 

Me bashkimin e luftës përmes Kodit të ri të Procedurës Penale së bashku me Ligjin për Konfiskim të pasurisë, arrihet jo vetëm konfiskimi më i lehtë nga Gjykata i pronës pas dënimit të të pandehurit, por edhe:

    a) lejohet Gjykata që të urdhërojë konfiskimin e dobisë pasurore nga vepra penale të fituar para dënimit të tij për vepër penale. E gjithë kjo procedurë është tashmë e paraparë në Kodin e Procedurës Penale;

    b) në rastet kur i pandehuri është dënuar për veprën penale, t’i lejohet gjykatës të urdhërojë konfiskimin e pasurisë të fituar me aktivitete të ngjashme me ato për të cilat është dënuar; 

    c) Në rastet kur personi është dënuar dhe ka pronë e cila është jo-proporcionale me të ardhurat e tij legjitime, Gjykata mund të urdhërojë konfiskimin e këtyre pasurisë nëse Gjykata bindet se këto pasuri janë fituar me aktivitet kriminal.  

Zonja dhe Zotrinjë,

Gjyqtarët dhe Prokurorët tanë nuk kanë qenë asnjëherë më të fuqishëm me instrumentet ligjore sesa që do të jenë me këto dy instrumente. Prandaj, unë sot i bëj thirrje edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që të mbështesë këtë Ligj dhe këtë Kod të Procedurës, në mënyrë që të mundësohet që qysh nga 1 janari 2013 të shpallet një luftë e pa-tolerancë kundër kriminelëve dhe krimit të organizuar. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë është e gatshme për të përcjellë këtë reformë të thuktë, veçanërisht duke fuqizuar vazhdimisht Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar apo Sekuestruar në kuadër të saj. Kjo Agjenci, presim të ketë punë të shumëfishuar pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale dhe Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë e prandaj po punohet vazhdimisht me stafin e saj për të fuqizuar atë që të jetë e gatshme. Së fundi, Kosova, përmes kësaj Agjencie është pranuar si vëzhguese në rrjetin Camden Asset Recovery Inter-Agency Network. 

Më lejoni të theksoj me rëndësi të veçantë së Kosova është në vazhdën e ndërtimit të një sistemi krejt të veçantë në rajon për të luftuar krimin e organizuar. Ne jemi duke e themeluar një Departament të Veçantë kundër Krimit të Organizuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të shqyrtohen të gjitha rastet mbi këto vepra penale e që përndjeken nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Kur jemi tek kjo prokurori, më lejoni të theksoj së Ministria e Drejtësisë ka shprehë gatishmërinë për mbështetjen e mëtejshme në fuqizimin e kësaj Prokurorie, qoftë këtu duke mbështetur rritjen e numrit të prokurorëve dhe stafit mbështetës, apo duke krijuar politika të cila fuqizojnë dhe mbështesin funksionimin e saj akoma më efikas. 

Unë jam shumë mirënjohës për praninë tuaj sot nga shumë vende të rajonit, për të diskutuar në panele kaq të dalluara të gjitha këto tema të rëndësishme. Sot përmes pranisë suaj këtu dëshmoni se Kosova është njëra nga qendrat kryesore për të diskutuar mbledhjen e dëshmive financiare dhe konfiskimin e pasurisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. 

Zonja dhe Zotërinj,

Luftimi i krimit të organizuar nuk mund të bëhet vetëm. Prandaj, bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm i dobishëm, por i domosdoshëm. Besoj fuqishëm që vendet në rajonin e Ballkanit do të arrijnë atë shkallë të civilizimit dhe bashkëpunimit me njëra tjetrën, sa të lënë anash të gjitha dallimet e tyre politike dhe të bashkëpunojnë më shumë sesa që arrijnë të bashkëpunojnë kriminelët me veprimtaritë e tyre. 
Thuhet “ta kundërshtojmë korrupsionin, është obligimi më i madh ndaj patriotizmit” (Edward Griffin). Dhe ne si rajon që shquhemi si popuj që e duan shumë vendin e tyre, duhet të dëshmojmë patriotizmin dhe atdhedashurinë tonë duke e mbrojtur vendin tonë nga këto dukuri që e rrezikojnë atë, dhe vetëm kështu ne mund ta quajmë veten patriotë”.

Ky simpozium i cili me punimet e tij ka filluar sot, do të zgjasë 4 ditë, ku vendet pjesëmarrëse do të paraqesin përvojat e tyre në konfiskim dhe dëshmi financiare.

Foto Galeria

Skip to content