Skip to content
Kuçi dhe Holub vlerësojnë fillimin e negociatave për MSA-në dhe procesin e djeshëm zgjedhor

Kuçi dhe Holub vlerësojnë fillimin e negociatave për MSA-në dhe procesin e djeshëm zgjedhor

Prishtinë, 04/11/2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Zyrtarin Politik të Deskut të Kosovës në Komisionin Evropian dhe njëkohësisht Koordinatorin e Raportit të Progresit Lukas Holub, me të cilin ka biseduar për fillimin e negociatave për nënshkrimin e MSA-së, për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë si dhe për procesin e fundit zgjedhor.

Në takim u vlerësua pozitivisht fillimi i negociatave për nënshkrimin e MSA-së, në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, ku Zëvendëskryeministri Kuçi u shpreh i kënaqur që tashmë Kosova dhe BE-ja janë duke formalizuar marrëdhënien në mes tyre. Përveç kësaj, Kuçi vlerësoj edhe faktin që pas nënshkrimit të MSA-së, detyrat dhe obligimet do të jenë shumë të qarta, të definuara mirë dhe të precizuara nga afate kohore përkatëse. E gjithë kjo sipas Kuçit do të këtë ndikim pozitiv në mobilizimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar përmbushjen e kritereve që ndërlidhen me marrëveshjen e MSA-së në veçanti, dhe me procesin e integrimit evropian në përgjithësi. Edhe z. Holub u shpreh i kënaqur që BE-ja dhe Kosova tashmë kanë filluar negociatat për nënshkrimin e MSA-së dhe vlerësoj përkushtimin e treguar nga institucionet e Kosovës deri më tani duke u shprehur optimist se çdo gjë pritet të shkojë sipas planit për zhvillimin e negociatave dhe nënshkrimin e MSA-së.  

Gjatë takimit, Zëvendëskryeministri Kuçi ritheksoi faktin që forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë vazhdon të jetë ndër prioritetet kryesore të tij si Ministër i Drejtësisë dhe se i njëjti reflektohet si një ndër prioritetet primare edhe në nivelin më të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen këndvështrimet e tyre edhe për procesin e fundit zgjedhor të mbajtur dje në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ata vlerësuan  shumë lartë dhe pozitivisht rrjedhën e gjithë këtij procesi, me përjashtim të ngjarjeve në Mitrovicën e Veriut për të cilat edhe shprehën keqardhje të thellë. Kuçi dhe Hollub vlerësuan faktin që një numër i kënaqshëm i qytetarëve ushtruan të drejtën e tyre të votës duke i kontribuar kështu në masë të madhe demokracisë në vendin tonë.  

Foto Galeria

Skip to content