
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim shefin e stafit të Planifikimit Civil dhe Mundësive Operacionale (PCMO), të Bashkimit Europian, Gilles Janiver, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në përfundimin e mandatit të tanishëm të EULEX-it, tranzicionin dhe transferimin e kompetencave tek institucionet vendore.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi e ka vlerësuar punën e këtij misioni dhe ka ripërsëritur qëndrimin e tij se fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë është prioritet. Palët u pajtuan se tani është e rëndësishme që tranzicioni i EULEX-it dhe transferimi i kompetencave tek institucionet vendore të realizohet në mënyrë të suksesshme.
Ministri Kuçi dhe z. Janiver, gjithashtu, diskutuan për bashkëpunimin e përgjithshëm në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, ndërkohë që kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar edhe më shumë këtë bashkëpunim.