
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, priti sot në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, me të cilin diskutuan për zhvillimet në fushën e gjyqësorit me një theks të veçantë për krijimin dhe funksionalizimin e databazës me të dhëna penale.
Palët diskutuan për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për krijimin dhe funksionalizimin e një databaze me të dhënat penale e cila do të menaxhohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës si organi kompetent në lëmin e çështjeve gjyqësore. Kjo databazë do të përmbaj të dhënat për personat e dënuar dhe do të shërbejë si burim bazik dhe informues në lëmin e çështjeve gjyqësore.
Kuçi shprehu mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë për krijimin dhe funksionalizimin sa më të shpejtë të kësaj databaze duke theksuar se digjitalizimi i informatave do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për tërë sistemin gjyqësorë dhe do të rris efikasitetin e punës së gjyqësorit.