
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi priti sot Komisionerën e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Astrid Thors të cilës fillimisht i uroi mandatin e ri dhe suksese në detyrën e saj.
Në këtë takim, Zëvendëskryeministri Kuçi e ka njoftuar znj. Thors për përfaqësimin e mirë të komuniteteve pakicë në Kosovë duke i venë theks veprimeve të institucioneve të Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit, krijimin e infrastrukturës ligjore moderne për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.
Po ashtu, theksoj përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ndërmarrë edhe masa të karakterit afirmativ, vetëm e vetëm që komunitetet pakicë në Kosovë të kenë përfaqësim të duhur në të gjitha nivelet, qendrore dhe lokale. Tutje, u theksua që Kosova është një shembull i mirë në rajon kur bie fjala te trajtimi dhe sigurimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.
Ministri Kuçi dhe Komisionerja Thors, diskutuan edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me ç’rast të dyja palët theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit serb në këto zgjedhje dhe përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet. Të dyja palët janë pajtuar se zgjedhjet e lira dhe demokratike, si dhe pjesëmarrja në numër sa më të lartë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa përjashtim, janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe rrugën e saj evropiane.
Të dyjat palët u pajtuan që hapsirat për përmirësim ekzistojnë. Tutje theksuan që përmes bashkëpunimit të mirë në mes të institucioneve të Kosovës, OSBE-së, si një organizatë me mision të specializuar në këtë drejtim, institucioneve dhe organizatave të tjera vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë shoqërinë civile, të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë mund të përmirësohen dhe avancohen tutje. Në fund të takimit, Ministri Kuçi falenderoi sërish Komisionerën Thorn dhe e ftoi që të vizitojë sërish vendin tonë dhe të vazhdojë bashkëpunimin e mirë drejt arritjes së synimeve të përbashkëta.