
Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim Ambasadoren e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, e cila fillimisht uroi atë për ri-emërimin në pozitën e Ministrit të Drejtësisë.
Në këtë takim Ministri Kuçi dhe Ambasadorja Viets vlerësuan bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Drejtësisë kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me Ambasadën gjermane dhe institucionet e tjera të këtij vendi që veprojnë në Kosovë.
Ministri Kuçi e ka njoftuar Ambasadoren Viets me prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë në aktivitetet që ndërlidhen me rritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies së gjyqësorit veçanërisht në luftimin e dukurive të rënda të kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe për aktivitetet e planifikuara legjislative në fushën civile dhe të drejtave pronësore, të cilat pritet të konkludohen me hartimin e Kodit Civil.
Kuçi theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik me Gjermaninë, përmes konkludimit të marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit juridik në çështjet penale dhe në fushën civile, të cilat do jo vetëm se do të lehtësojnë bashkëpunimin ndër-institucional por edhe do të kontribuojnë në lehtësimin e procedurave në çështjet që ndërlidhen me qytetarët.
Gjatë takimit u vlerësua se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Gjermanisë janë të shkëlqyera, ndërsa Ministri Kuçi shtoi se mbështet vazhdim të bashkëpunimit të mirë dhe thellim të këtij bashkëpunimi edhe më shumë përmes projekteve mbështetëse të Qeverisë gjermane për Kosovën.