
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pranuar ftesën nga Ministri i Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar, Lord Chris Grayling, për të marrë pjesë në Samitin Global për Drejtësi, që do të mbahet në Londër më 23-25 shkurt 2015.
Ky samit, organizohet nën patronatin e Ministrit të Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar, dhe është ndër forumet më të rëndësishme në fushën e drejtësisë në botë, që këtë vit organizohet për nder të 800 vjetorit të vulosjes së Magna Kartës. Samiti mbledh krerët e drejtësisë në botë, duke përfshirë këtu ministra të drejtësisë të Evropës dhe botës, gjyqtarë të gjykatave ndërkombëtare, avokatë e kontribuues të shquar të drejtësisë në botë.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum paraqet një avancim të raporteve në fushën e drejtësisë jo vetëm të marrëdhënieve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar por edhe rast i mirë për të ngritur praninë në fushën ndërkombëtare të drejtësisë.