
Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Shoqata e veteranëve të luftës së Koshares "Brigada 138", organizoi manifestimin "Ditët e Shqipes" për nder të Betejës së Koshares. Në kuadër të këtij manifestimi, në hotelin Emerlad u kujtua komandanti Sali Çekaj.
Me këtë rast në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës foli Zëvendëskryeministrit dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili para të pranishmeve tha: “Jam jashtëzakonisht i nderuar që mund të flas në këtë akademi për një betejë dhe për një hero që është pjesë e historisë së vendit dhe popullit tim. I vetëdijshëm se betejat si ajo e Koshares dhe trimat si Sali Çekaj nuk mund të përfshihen në një fjalë e as nga një përshkrim, por vetëm nga një histori.
Veprën e burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare, të Adem Jasharit, të trimave të UÇK-së dhe të Koshares, të Heroit Sali Çekaj secili nga ne e ka dëgjuar. Dikush i ka parë dhe të gjithë janë përjetësuar në veprën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Beteja e Koshares i ka dhëne kuptim luftës dhe betimit të UÇK-së, kësaj lufte dhe kësaj beteje i kanë dhënë kuptim mitik heronjtë e rënë si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahu e 111 dëshmorë tjerë të rënë si dhe luftëtaret e saj të gjallë.
Në historinë e luftërave për liri ka raste kur emrat gjeografikë dhe emra vendbanimesh, pavarësisht madhësisë së tyre, shndërrohen edhe në emra historikë.
E tillë është Kosharja, një vendbanim i Alpeve Shqiptare, që hyri në historinë moderne të Kosovës 13 vjet më parë, duke përjetësuar momentin e thyerjes së piramidës jugosllave në kufirin e dhunshëm midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Kjo thyerje e piramidës kufitare paralajmëronte ardhjen e një epoke të re, kur kufiri shekullor po relativizohej.
Në vend të ndalimit dhe izolimit, po vinte koha e lirisë së lëvizjes, koha e komunikimit dhe e hapjes.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kështu po hapte kapitullin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Evropës Juglindore.
Deri tek ditët e Betejës së Koshares, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe sfida të shumta operacionale dhe politike.
Nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm, UÇK-ja ishte bërë forcë reale, që i jepte kahen zhvillimeve politike në Kosovë.
Ajo ishte zgjeruar dhe strukturuar në tërë territorin e Kosovës.
UÇK kishte përballuar me sukses të gjitha ofensivat e ushtrisë dhe policisë serbe, duke dëshmuar karakterin e saj gjithë popullor demokratik dhe properëndimor.
Edhe pas Konferencës së Rambujesë dhe fillimit të Bombardimeve të NATO-s Ushtria Çlirimtare nuk e ndali për asnjë moment luftën e saj të drejtë dhe të vendosur.
Dëshmi e vendosmërisë për të luftuar më heroizëm dhe sakrificë të lartë ishin ushtarët dhe drejtuesit e Brigadës 138 në ditët e betejave të Koshares.
Në Brigadën 138 u rikonfirmua kualiteti i veçantë i drejtuesve të UÇK-së, rënia e prijësve dhe komandantëve të Brigadave të UÇK-së.
Në betejën e Koshares ranë oficerët e lartë, prijësit e saj: Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Xhemajl Fetahu.
Ata janë krenaria dhe nderi i luftë së lavdishme çlirimtare.
Ata janë pjesë e lirisë së Kosovës.
Zonja dhe zotërinj,
Në trembëdhjetë vjetorin e rënies e kujtojmë me krenari komandantin Sali Cekaj.
Komandanti Sali Çekaj tërë jetën ishte i identifikuar me fatin e vendit të tij.
Aktiviteti i tij ishte në mbrojtje të të gjitha veprimeve që kundërshtonin sundimin e administratës serbe të Kosovës, deri tek mobilizimi i diasporës dhe kontributi në organizimin e strukturave ushtarake në kuadër të UÇK-së.
Organizimin dhe masivizimin e UÇK-së veçanërisht në Betejën e Koshares ishte kurora e lavdisë së jetës dhe veprës së tij.
Komandanti Sali Çekaj pati fatin të vepronte në Brigadën 138, që shquhej jo vetëm për numrin e madh të luftëtarëve, por edhe për pjesët e atdheut që ata kishin sjellë në këtë Brigadë.
Sali Çekaj ështe emër që lidhet me lirinë dhe drejtësinë është emër që nocioni i tij identifikon lirinë për pavarësi, por edhe drejtësi për ta fituar lirin, dhe sot jo rastësisht çmimi për drejtësi ne Republikën e Kosovës nis me emrin e heroit Sali Çekaj dhe sot këtë titull e mbajnë punëtorët dhe aktivistët të drejtësisë së Kosovës të rënë dhe të gjallë, të cilët po e ndërtojnë shtetin dhe të cilën e synonte edhe Sali Çkaj.
Nuk ka qytet dhe fshat të Kosovës por edhe të viseve tjera shqiptare që të mos ketë pasur luftëtarë në këtë Brigadë.
Prandaj edhe dëshmorët që ranë në këtë betejë ishin dëshmorë nga të gjitha pjesët e atdheut.
Sot me krenari dhe nderim më të lartë shtetëror dhe institucional kujtojmë Betejën e Koshares dhe rënien e komandantit Sali Çeku.
Idealet për të cilët ra komandanti Sali Çeku dhe bashkëluftëtarët tjerë, janë bërë realitet.
Kosova është pjesë e botës së lirë dhe një shtet me rend dhe ligj me perspektivë të qartë euroatlantike.
Lavdi jetës dhe veprës së komandantit Sali Çekaj!
Lavdi të gjithë dëshmorëve kombit!”