
Në fjalën e rastit të mbajtur në këtë përvjetor, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Jusuf e Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka, ishin në krye të një projekti politik të rëndësishëm që kishte për qëllim shtrirjen dhe forcimin e organizimit politik brenda në Kosovë dhe jashtë saj, si dhe ndërkombëtarizimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet diplomatike perëndimore.
“Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla janë trinom që shënjon idenë e bashkimit politik të forcave të organizuara pas demonstratave të vitit 1981. Pikërisht kjo filozofi dhe ky model veprimi bëri që ata të bëhen pengesë serioze e segmenteve antishqiptare në Perëndim e kudo tjetër. Ideja e krijimi të një fronti të përbashkët të forcave politike si në Kosovë ashtu edhe në Perëndim, u konsiderua rrezikim serioz për qarqet politike dhe shërbimet sekrete jugosllave, gjë që rezultoi me organizimin dhe kryerjen e atentatit mbi këta tre veprimtarë”, tha Kuçi.
Sipas Zëvendëskryeministrit Kuçi, edhe pse ende nuk është ndriçuar krimi politik, rënia e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, emri i tyre, vepra dhe rënia e tyre, për lëvizjen kombëtare, për të rinj e të reja, për një brez të tërë u bë frymëzim, udhërrëfyes dhe vendosmëri, për ta forcuar lëvizjen ilegale. Ai tha se kjo lëvizje nuk njohu asnjëherë shkëputje dhe ndërprerje, pavarësisht nga pengesat, rëniet e përkohshme, goditjet dhe vështirësitë në realizimin e qëllimit për çlirimin e Kosovës, dhe shtoi se Lëvizja Popullore e Kosovës, duke kaluar nëpër faza pjekurie e sprova të vazhdueshme, angazhimin e saj nuk e ndali asnjë moment, ku nga kjo lëvizje u krijuan edhe formacionet ushtarake, respektivisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, projekti më i rëndësishëm, më serioz dhe më i suksesshëm politiko – ushtarak i lëvizjes sonë kombëtare.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Kuçi bëri publike vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vendosjen e shtatoreve të Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës para objektit të Qeverisë, të ish Pallati i Rilindjes, përurimi i të cilave do të bëhet më 28 Nëntor 2012, pikërisht në 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.