Skip to content
Kuçi: Komentari lehtëson interpretimin dhe zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve

Kuçi: Komentari lehtëson interpretimin dhe zbatimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve

Prishtinë, 26/11/2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në promovimin e Librit  të parë të Komentarit të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, e organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, (UNDP).

Me këtë rast, Ministri Kuçi ka vlerësuar punën që është bërë për realizimin e këtij komentari që sipas tij do të shërbejë jo vetëm për juristët por edhe për gjithë qytetarët. Ai tha se gjatë mandatit si Ministër i Drejtësisë në Kuvendim e Republikës së Kosovës janë proceduar mbi 30 ligje, por sipas tij fokusi kryesor ka qenë në legjislacionin penal më i madh se sa në atë civil.

“Në një shoqëri post-komuniste njerëzit koncentrohen më shumë në çështjet penale se sa në çështjet civile, ndërsa koncentrimi im si jurist, por edhe si Ministër është më shumë në çështjet civile se sa në ato penale, ngase qytetarët kanë punë me shumë me çështjet civile, dhe në këtë drejtim punët që bëhen në hartimin e ligjeve dhe në këtë rast hartimi i Ligjit Sistemor për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Komentari është kontribut për secilin qytetar, ata të biznesit, ata që dëshirojnë të kenë marrëdhënie kontraktuese etj”, tha Kuçi

Sipas Ministrit Kuçi, ky komentar e lehtëson punën e juristëve, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe cilido tjetër, jo vetëm ta gjejë rastin, por edhe të dijë ta interpretojë në mënyrë adekuate rastin për palën e interesuar, ndërkohë ftoi UNDP-në dhe donatorët tjerë që të koncentrohen më shumë në çështjet civile, në interpretimin dhe komentimin e tyre dhe në hartimin e ligjeve adekuate në Kosovë.

“Ligjet tona duhet t’i kenë dy standarde, të jenë në përputhje me kriteret ndërkombëtare dhe të jenë funksionale për vendin tonë. Ligji për Marrëdhëniet të Detyrimeve është një prej ligjeve bazike që kërkon një interpretim adekuat”, tha Kuçi.

Në fund, Ministri Kuçi tha se angazhimi i tij do të jetë që qytetarët të kenë ligje funksionale sipas standardeve ndërkombëtare, të jenë të pranueshme dhe mbi të gjitha të kuptueshme.  

Foto Galeria

Skip to content