Skip to content
Kuçi: Kosovën po e ndërtojmë si një shtet demokratik të bazuar në rend dhe ligj

Kuçi: Kosovën po e ndërtojmë si një shtet demokratik të bazuar në rend dhe ligj

Prishtinë, 18/08/2012

Dje, në ditën e fundit të konferencës Programi për Partneritet në mes të shtetit të Iowas në SHBA dhe Kosovës, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ishte anëtar i panelit ku u diskutua për sundimin e ligjit. Në këtë panel së bashku më Ministrin Kuçi ishin edhe Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shtetit të Iowas, Larry Eisenhauer, Gjyqtari Timothy Baland, ish-Kryesues i Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë dhe Gjyqtari Charles Smith, ish-Zëvendëskryesues i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it dhe ish-Gjyqtar i Gjykatës Supreme në Kosovë.  

Gjatë diskutimit të tij në panel, Ministri Kuçi u fokusua në prezantimin e reformave të thella që po bëhen në sistemin e drejtësisë në Kosovë, posaçërisht në atë gjyqësor dhe prokurorial. Ministri Kuçi theksoi qëllimin e Qeverisë dhe shoqërisë Kosovare për ndërtimin e një sistemi gjyqësor dhe prokurorial të pavarur, funksional dhe me integritet të plotë moral e profesional. Në këtë drejtim, ai përmendi investimet e shumta që janë bërë jo vetëm në përmirësimin e legjislacionit që rregullon këtë sistem, por edhe në investimet materiale në ngritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë këtu edhe ngritjen e mëtutjeshme të numrit të tyre. 

Ministri Kuçi bëri edhe një prezantim të shkurtër të ligjeve të shumta që janë miratuar gjatë vitit të fundit, duke veçuar këtu Kodin Penal dhe të Procedurës Penale, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë, Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligjin për Detyrimet, atë të Procedurës Përmbarimore etj. 

Si sfidë të vazhdueshme, Ministri Kuçi theksoi të jetë numri i madh i pazgjidhur i lëndëve nëpër Gjykata dhe shtoi se Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor, po formësojnë idenë që të themelohen panele të veçanta gjyqtarësh brenda Gjykatave të cilat do të merreshin vetëm me lëndët e mbetura tash e disa vite. Për këtë do të nevojitet angazhim i shumtë i të gjitha forcave, theksoi Kuçi, dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-ve dhe vendeve Evropiane për të ndihmuar në këtë problematikë. Me këtë rast, Ministri Kuçi prezantoi gjithashtu idenë e tij, e cila tashmë është duke u reflektuar në amandamentimet e Ligjit për Gjykatat, që të krijohet një Departament i Veçantë në Gjykatën Themelore në Prishtinë e cila do të gjykojë raste nga kompetenca e Prokurorisë Speciale që kanë të bëjnë me veprat pénale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kuçi foli gjithashtu për qëllimin e Qeverisë së Kosovës për të ruajtur deri në fund, me paprekshmëri të plotë dhe madje edhe t’i zgjerojë kompetencat e Task Forcës së Veçantë të Hetimeve, në kuadër të EULEX-it, e cila heton rastet e dala nga Raporti i Dick Martyt. 

Kuçi ritheksoi parimin e Qeverisë së Kosovës që të ndërtohet një sistem unik, ligje të aplikueshme dhe që emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet nga institucione të pavarura nga çfarëdo dege tjetër e pushtetit. Ministri Kuçi foli edhe për bashkëpunimin e të gjitha institucioneve me EULEX-in dhe punën e përbashkët që po bëhet në transformimin e EULEX-it dhe transferimin e kompetencave tek autoritetet vendore. Këtu Ministri Kuçi veçoi mekanizmat e përbashkët koordinues, siç është Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit me Brukselin, si dhe punën që bëhet përmes Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit. 

Ministri Kuçi u thellua gjithashtu edhe në temën e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar, me ç’rast përmendi punët e shumta që po bëhen përmes Ministrisë së Drejtësisë në arritjen e marrëveshjeve për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, veçanërisht në fushën penale. Ai theksoi se po bëhet ç’është e mundur që të luftohet krimi ndër-kufitar dhe që të pamundësohet strehimi i keqbërësve brenda kufijve të Kosovës. 

Për fund, Ministri Kuçi foli për perceptimin e drejtësisë, i cili në Kosovë del të jetë më i pakënaqshëm sesa puna e gjyqësorit në realitet, siç tha ai, prandaj, përmendi edhe rëndësinë e punës transparente të gjyqësorit dhe punën e institucioneve mbështetëse të tyre për të ndihmuar në përmirësimin e këtij perceptimi në shoqëri dhe reflektimit të vërtetë të punës së gjyqësorit dhe prokurorive në vend.

Ministri Kuçi përfundoi fjalimin e tij duke shprehur optimizëm për sundimin e ligjit në Kosovë, duke shprehur bindjen e tij që ky optimizëm do të ndahet gjithashtu edhe nga qytetarët e Kosovës në të ardhmen e afërt, përderisa do të punohet vazhdimisht në ndërtimin e Kosovës si një shteti demokratik të bazuar në rend dhe ligj.   

Foto Galeria

Skip to content