
Në ditën e dytë të Samitit Ndërkombëtar të Gruas, në panelin ku u diskutua për siguri dhe drejtësi, me një fjalë rasti u paraqit edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Para të pranishmëve të këtij paneli, Ministri Kuçi tha: “Kam kënaqësinë që sot gjendem në mesin tuaj për të diskutuar për fuqizimin e gruas, si çështje që kërkon shumë vëmendje dhe punë.
Para së gjithash, uroj Presidenten e për idenë e shkëlqyeshme për një samit të këtillë, ngase e konsideroj si shumë të vlefshme pikërisht për faktin që, me sot, Kosova ka marrë primatin për të diskutuar dhe për të qenë më proaktive në drejtim të fuqizimit të gruas. Njëkohësisht, ju falënderoj të gjithëve për gatishmërinë tuaj që të diskutoni për këtë çështje pikërisht në Kosovë.
Unë sot kam ardhur këtu jo thjeshtë për të treguar për atë që ka bërë Qeveria e Republikës së Kosovës për të siguruar barazinë gjinore dhe së këndejmi fuqizimin e gruas, por më tepër për të marrë rekomandimet se si të bëhet akoma më tepër në këtë drejtim.
Në një forum të këtillë si ky sot, do të ishte e tepërt që të flisja për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në çdo sferë të shoqërisë, politikbërjes dhe aktivizmit shoqëror.
Sot dua të ndalem veçanërisht në një këndvështrim tjetër, për rëndësinë e këtij aktivizmi, të ndalem pikërisht në ndihmën specifike të gruas në sundimin e ligjit. E siç e dini të gjithë, sfida më e madhe që sot ne e hasim në këtë drejtim, është lufta kundër korrupsionit e cila nuk po jep rezultatet më të dëshiruara nga ana jonë.
Në një deklaratë politike të Bankës Botërore, e quajtur “Rrezikimi i Zhvillimit” (‘Engendering Development’), është ndërlidhur niveli i ulët i korrupsionit me udhëheqësin e femrave në ato institucione. Raporti ka konkluduar se “duhet dhënë më shumë mbështetje për të pasur më shumë femra në politikë dhe në fuqinë punëtore, ngase ato do të ishin një forcë efektive për qeverisje të mirë dhe besueshmëri në punë” .
Është fatkeqe që në të njëjtën kohë, ka studime të cilat në fakt kanë dëshmuar se ka qenë pikërisht kjo tendencë- tendenca që femrat të mos korruptohen – arsyeja e cila i ka mbajtur ato shpesh jashtë politikës. Si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, promovimi i kyçjes së femrave në politikë dhe në vendimmarrje në përgjithësi është një mision tejet i rëndësishëm për mua dhe Qeverinë e Kosovës. E kjo sidomos kur kemi parasysh se edhe botërisht, femrat shihen ndoshta edhe si një lloj shëruesi më efektiv i uljes së shkallës së korrupsionit në shoqëri.
Kjo ka qenë edhe njëra ndër arsyet e futjes së kuotës së 30%-shit në Kuvendit e Kosovës dhe edhe shumë dispozitave të tjera në ligjet tjera, si në atë për shërbimin civil, me qëllim të involvimit sa më të madh të femrës në secilën celulë të shoqërisë sonë.
Ndonëse lufta jonë kundër kësaj dukurie jep rezultate më të ngadalta sesa do të dëshironim
të gjithë ne, shpresoj dhe besoj që qytetarët tanë gradualisht do të fillojnë të vërejnë ndryshime thelbësore të cilat po bëhen dita ditës për të mirë në shoqëritë tona, në emër të kësaj lufte. Pikërisht ashpërsimi i kësaj lufte ka qenë njëra ndër qëllimet kryesore të nxjerrjes së Kodit të ri Penal, Kodit të ri të Procedurës Penale, Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, Ligjit për mbrojtjen e informatorëve, Ligjit për konfiskimin e pasurisë etj.
Duke u ndërlidhur me atë që thash më parë nga studimet akademike të bëra, femrat shpesh janë lënë anash vendimmarrjes pikërisht për mungesën e vullnetit të tyre për të korruptuar apo për t’u korruptuar. Unë shpreh dëshirën time më të madhe që ky vullnet asnjëherë mos t’ju ndryshojë. Shoqëritë tona në fakt janë të bekuara me këtë mungesë vullneti për t’u korruptuar nga femrat dhe shpresojmë që ato mos t’i dorëzohen asnjë lloji të trysnie nga jashtë për ta ndryshuar këtë virtyt të tyren.
Dua të rikujtoj një nga fjalimet e famshme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, i cili ka theksuar se “barazia gjinore është më tepër se një qëllim i vetëm. Është parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për qeverisjen e mirë”. Dhe pikërisht për të arritur këtë qeverisje të mirë, këtë zhvillim të qëndrueshëm, shihet se aktivizimi i femrave është i domosdoshëm. Ai ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë juridike e madje edhe fizike të qytetarëve tanë. Por fatkeqësisht, femrat hasin edhe në një problem shtesë të sigurisë. E kam fjalën për dhunën e shtuar ndaj femrave në shumë ambiente, veçanërisht në familje.
Është tejet tragjike për të dëgjuar fakti se gjysma e rasteve të dhunës të paraqitura në polici në fakt kanë të bëjnë me dhunën në familje. Është akoma më tragjike të dëgjohet se gati të gjitha këto raste të paraqitura kryhen ndaj grave apo fëmijëve. Siç e dini, ndonëse vet dhuna është e dhimbshme si e tillë, më të trishta janë pikërisht rastet kur viktimat nuk kanë guximin që këto raste t’i paraqesin para organeve kompetente. Shpesh ndodhë që këtë e bëjnë edhe nga pamundësia materiale apo edhe nga mungesa e informacionit. Andaj, sot do të doja që të ndaja një mesazh tek të gjitha viktimat e krimit, e veçanërisht ato të dhunës në familje, që të paraqesin rastet e tyre tek autoritetet dhe se ekzistojnë një numër i madh i organeve të cilat janë ndërtuar pikërisht që atyre t’ju vijnë në ndihmë. Sot, viktimave në vendin tonë u ofrohet ndihmë juridike falas dhe mbi të gjitha një numër i madh i mjeteve juridike të cilat ato mund t’i shfrytëzojnë për mbrojtje. Andaj, në fjalët e Winston Churchill, “guximi me të drejtë cilësohet si virtyti kryesor i njeriut, ngase, siç është thënë, është virtyti i cili i garanton të gjitha tjerat”.
Pikërisht urgjenca e ndaljes së këtij fenomeni, urgjenca për të shtuar mbrojtjen dhe sigurinë e femrës në të gjitha aspektet, e veçanërisht në familje, gëzon sot vëmendje të veçantë edhe nga ne si përpilues të ligjeve, që kemi draftuar procedura të veçanta për të mbrojtur qytetarët tanë nga dhuna në familje. Sot, viktimat e dhunës në familje gëzojnë mundësinë që t’ju qasen procedurave gjyqësore shumë më shpejtë dhe më lehtë, të marrin në afate shumë të shkurta urdhra të ndryshëm për mbrojtje, e mbi të gjitha përshpejtim të procedurave gjyqësore në mënyrë që të mos vonohet vënia e drejtësisë në raste të tilla.
Më lejoni gjithashtu që të cekë se në Kodin e ri Penal kemi paraparë edhe vepra të reja penale por më me rëndësi janë ashpërsuar dënimet për shumicën e veprave penale kur ato kryhen ndaj të ashtuquajturave “viktima të ndjeshme” e cila përfshinë partnerin, bashkëshortin dhe fëmijën. Gjithashtu, dua të përmend veprën penale të ngacmimit, në mesin e veprave penale të reja, e cila është përfshirë në Kod kryesisht për të ndihmuar viktimat e mëparshme ose ato potenciale të dhunës, madje edhe psikike, në familje.
Gjithashtu, gjatë përpilimit të Kodit të ri të Procedurës Penale, kemi marrë parasysh rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës të cilët kanë rekomanduar që në rastet e dhunës në familje “procedura gjyqësore do të duhej të përbëhet nga jo më shumë se dy seanca”. Ndërkohë, përderisa punojmë në parandalimin e të gjitha shkeljeve të të drejtave të grave, po punojmë shumë me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial për të përshpejtuar sa më shumë procedurat gjyqësore, në mënyrë që të arrihet të vihet drejtësia aty ku këto të drejta janë shkelur.
Për fund, më duhet të rikujtoj gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar vazhdimisht në reformimin e sistemit qeverisës për të krijuar kështu një sistem vlerash i cili promovon jo vetëm në letër, por edhe në realitet, barazinë gjinore, fuqizon gruan dhe mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të saj deri në atë ditë kur çështja e barazisë gjinore të mos jetë më temë e ndarë.
Beteja për lirinë dhe drejtësinë nuk është kurrë e pashpresë, por ajo kurrë nuk është fituar e as arritur deri në fund. Prandaj, çdo ditë duhet të jemi të gatshëm për të luftuar për të përsëri”.