Skip to content
Kuçi: Luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet një ndër prioritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës

Kuçi: Luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet një ndër prioritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 04/10/2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e gjashtë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili u kryesua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga. 

Duke folur për aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me luftën kundër korrupsionit, Zëvendëskryeministri Kuçi para të pranishmëve tha: 
“Siç e kam thënë edhe në takimet  kaluara, luftimi i korrupsionit nuk është një detyrë e lehtë, por një sfidë për të gjitha institucionet e Kosovës.

Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të pranishme, për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë fushë. Luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet një ndër prioritetet më të larta të Qeverisë së Kosovës dhe një ndër parakushtet edhe për proceset e integrimit europian. Ne edhe më tutje shprehim dedikimin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë të gjitha veprimet për të koordinuar aktivitetet kundër korrupsionit me një politikë zero tolerancë. Sipas diskutimit në takimin tonë të fundit por edhe gjatë zhvillimit të punëve të grupeve punuese, ne si Ministri e Drejtësisë jemi zotuar të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për përgatitjen e legjislacionit të nevojshëm që garanton luftimin më efikas të korrupsionit. 
Kam kënaqësinë t’iu informoj se ashtu siç edhe jemi zotuar ne kemi hartuar (amandamentuar) ‘pakon e ligjeve kundër  korrupsionit’, përkatësisht Projektligjin për Plotësim Ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-050, për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë personat zyrtarë dhe Projektligjin për Plotësim Ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-051 për Parandalimin e Konflikti të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Këto projektligje tanimë janë miratuar në Qeveri dhe janë proceduar në Kuvend  dhe besoj që edhe Kuvendi shumë shpejt do të  procedojë me miratimin e këtyre ligjeve. 

Përmes plotësim ndryshimit të këtyre ligjeve do të bëhet harmonizimi i legjislacionit kundër-korrupsion me legjislacionin në fuqi, përkatësisht me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale – që ka qenë një ndër kërkesat e dala nga grupet punuese në kuadër të këtij Këshilli. Padyshim që këto ndryshime kanë përmbushur kërkesat që kanë dalë nga konsultimet e gjata dhe shumë substanciale me Agjencinë Kundër Korrupsion, institucionet dhe organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në Kosovë.

Jam i bindur që këto dy projektligje do të kenë një efekt shumë pozitiv në parandalimin e dukurive të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Pas miratimit të ligjeve, ne si Ministri do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm për implementimin sa më të lehtë, dhe do të nxjerrim aktet e nevojshme nënligjore me qëllim të garantimit të zbatimit më të lehtë në praktikë të këtyre ligjeve. 

Një çështje tjetër me rëndësi të veçantë në procesin e luftimi të korrupsionit është edhe iniciativa për ‘Themelimin e zyrës kombëtare për koordinimin e punës së institucioneve në luftimin e krimeve ekonomike’. Së bashku me disa nga të pranishmit në këtë takim ne jemi akorduar që të themelohet një Zyrë Kombëtare për koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve të institucioneve relevante të drejtësisë lidhur me ndjekjen dhe kryesve të veprave penale me përfitime ekonomike. Një ndër qëllimet parësore të kësaj zyre do të jetë monitorimi i punës së institucioneve përkatëse në procesin e sekuestrimit/konfiskimit të pronave që rezultojnë nga veprat penale dhe menaxhimin e tyre të dejtë.  

Ne besojmë që me funksionalizimin e kësaj zyre do të rritet efikasiteti i institucioneve të kyçura në luftën kundër krimeve ekonomike dhe do të minimalizohen mundësitë e keqpërdorimeve të aseteve të konfiskuara apo sekuestruara. Më lejoni edhe një herë që në emër të Ministrisë së Drejtësisë dhe në emër të Qeverisë së Kosovës, të shpreh gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në fushën e luftimit të korrupsionit”.

Foto Galeria

Skip to content