Skip to content
Kuçi: Mbani lart Flamurin e Kosovës

Kuçi: Mbani lart Flamurin e Kosovës

Prishtinë, 18/10/2011

Agjencioni për Menaxhim Emergjent, u nis konvoji i Task-Forcës për kërkim-shpëtim urban për në Slloveni, ku do të mbajnë ushtrimin fushor me vendet kandidate dhe potenciale kandidate për integrim në Bashkimin Evropian.

Në ceremoninë e nisjes morën pjesë Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, Kryeshefi i Agjencionit për Menaxhim Emergjent, Fadil Kodra, zyrtarë të lartë të MPB-së, si dhe pjesëmarrësit e këtij programi.

Zëvendëskryeministri Kuçi, tha se udhëtimi i Task-Forcës për kërkim-shpëtim urban është një simbolikë e mirë për prezantimin e punës së tyre jashtë vendit. 

“Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të Kryeministrit Hashim Thaçi, shpreh admirimin për punën tuaj që bëni çdo ditë, që është një simbolikë e mirë për të prezantuar punën tonë jashtë vendit. Po shkoni të përfaqësoni një vend, një shtet, i cili ka nevojë gjithsesi për të qenë konkurrent me vendet tjera dhe mbajeni lart flamurin e Kosovës”, tha Zëvendëskryeministri Kuçi

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit për Menaxhim Emergjent, Fadil Kodra, uroi ekipin për ushtrimin fushor që do të mbahet në Slloveni dhe tha se ka besimin se ky ekip do ta përfaqësojë denjësisht vendin, duke i kryer detyrat në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ushtrimi i Task-Forcës për kërkim-shpëtim urban është i organizuar në kuadër të programit të IPA-së, të Bashkimit Evropian dhe në këtë ushtrim do të marrin pjesë 25 pjesëtarë nga Republika e  Kosovës me teknikë dhe pajisjet e tjera përcjellëse.  

Skip to content