
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit në Kosovë.
Duke folur për veprimet të cilat janë ndërmarrë për të adresuar çështjen e mbrojtjes së viktimave të krimit dhe ofrimit të mbështetjes institucionale, Zëvendëskryeministri Kuçi para të pranishmëve tha:
“Këtë fjalim më duhet ta nis në mënyrë më të pazakontë, duke deklaruar qysh në fillim se ky është ndër takimet e pakta ku nuk mund të them se kam kënaqësinë e plotë të jem sot këtu. Kjo vetëm për arsyen se të gjithë do donin që në Kosovë, e askund në botë, të mos kishte nevojë për Javën e Mbrojtjes së Viktimave, apo për përkushtim të shtuar për të adresuar nevojat për mbrojtjen e viktimave të krimit.
Megjithatë, më gëzon përkushtimi ynë për të mbledhë forcat tona drejt mbrojtjes sa më cilësore të viktimave të krimit, përkushtim ky që po vazhdon dhe po rritet dita ditës. Këtë e tregon edhe vazhdimi i organizimit të javës se veçantë për mbrojtjen e viktimave të krimit e që nuk po shoqërohet vetëm me retorikë institucionale dhe ceremoniale, por edhe me veprime konkrete.
Padyshim, të flasësh për viktimat e krimeve është ndër temat më të vështira për secilin prej nesh. Kjo sepse vuajtjet e tyre na prekin të gjithë neve si përgjegjës të institucioneve që udhëheqim, por para së gjithash si njerëz. Si njerëz na takon që të solidarizohemi me ata dhe t’ju ndihmojmë përmes përkrahjes morale, familjare dhe shoqërore. T’ju ndihmojmë që të jenë të integruar në shoqëri dhe të mos ndihen të vetëm. Si institucione na takon që të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që t’i mbrojmë me ligj dhe në të njëjtën kohë të punojmë sa më shumë që numri i tyre të jetë margjinal në të ardhmen.
Po ashtu, na takon që të punojmë bashkë drejt synimit tonë të përbashkët që Kosova të bëhet shembull për mbrojtjen e viktimave të krimit dhe që një ditë java për mbrojtjen viktimave të konsiderohet si diçka e panevojshme dhe e pakuptimtë. Sinqerisht, nuk dua që këto fjalë të tingëllojnë si idealizëm i skajshëm duke qenë se pa ideale të mëdha nuk mund të arrihen as synimet më të vogla, dhe ne të gjithë kemi ideale që duam t’i realizojmë.
Gëzohem dhe jam i lumtur, që me shumë bindje mund të them që Ministria e Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës, Presidenca, Prokuroria, Gjykatat, Policia, Përfaqësuesit Ndërkombëtar, institucionet dhe organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, shoqëria civile, të gjithë, pa përjashtim, jemi të bashkuar dhe flasim njëzëri kur bie fjala për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimeve. Ne flasim njëzëri edhe kur është fjala për të koncentruar energjinë tonë në zvogëlimin e numrit të krimeve në Kosovë dhe prurjen e drejtësisë për viktimat e krimit në rastin e keq kur ata janë prekur nga krimi. Në këtë frymë, me lejoni që shkurtimisht të përmend disa nga masat e fundit që janë ndërmarrë për të adresuar çështjen e mbrojtjes së viktimave të krimit dhe për të avancuar mënyrën e ofrimit të mbështetjes së shtuar ndaj tyre.
Si pikë e parë, dua t’ju rikujtoj që vitin e kaluar, në po të njëjtën sallë, në po të njëjtin takim, kam paralajmëruar planet për krijimin e një Fondi të Veçantë për Mbrojtjen e Viktimave. Gjatë gjithë këtij viti kemi punuar ngushtë me bashkëpunëtorët e mi për të gjetur mënyrën më të mirë për financimin e këtij fondi dhe hartimin e këtij Ligji. Të dyja këto i kemi bërë, dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë gjë.
Më kënaqësi të madhe ju njoftoj që brenda muajit nëntor pritet miratimi i këtij Projektligjit për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, gjithnjë duke respektuar rregullat për procedim të legjislacionit dhe të konsultimeve më publikun. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e madhe që kemi marrë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, andaj më lejoni që edhe para jush, edhe publikisht, të falënderoj Ambasadoren Jackobson për përkrahjen e shtetit Amerikan dhe të saj. Po ashtu, dua ti komunikojë që duhet të ndihet krenare meqë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ajo dhe shteti Amerikan do të ndikojnë në përmirësimin e mbrojtjes që do të ju ofrohet viktimave të krimit që nga fillimi i vitit 2014.
Si pikë e dytë, por ngushtë e lidhur me të parën, dua të përmend karakteristikat e kësaj iniciative ligjore, të cilën, thënë drejtën, e kam shumë për zemër.
– Përmes këtij Ligji, do të krijohet FONDI i veçantë për kompensimin e viktimave të krimit që kanë pësuar nga kryerja e veprave penale të qëllimshme si dhe do të funksionalizohet programi për kompensimin e tyre.
– Në bazë të këtij Ligji, të gjithë personat që kanë qenë viktimë e krimeve të qëllimshme të parapara në këtë ligj dhe me Kodin Penal, e të cilët nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën e kompensimit nga i pandehuri, do të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim nga fondi i posaçëm që do të krijohet.
– Do të themelojmë një komision të veçantë i cili do të shqyrtojë kërkesat individuale të personave dhe do të vendos se a janë plotësuar kriteret e parapara me ligj për të realizuar të drejtën në kompensim. Ky komision do ketë përfaqësim të tillë që do të garantojë vendime të bazuara në ligj dhe vetëm në ligj. Për transparencë të shtuar do ta përfshijmë edhe shoqërinë civile si pjesë përbërëse të komisionit.
– Ky Projektligji do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2014 dhe nga aty do të mund të fillojnë aplikimet për përfitim nga ky fond në bazë të kushteve dhe procedurave të parapara me ligj.
Në anën tjetër, e mira e kësaj iniciative ligjore, është se ajo përshtatet shumë mirë edhe me Kodin e Ri Penal të Kosovës përmes së cilit janë ashpërsuar shumë dënimet, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me të ashtuquajturat “viktima të ndjeshme” si dhe me Kodin e ri të Procedurës Penale, ku jo vetëm që kemi përmirësuar procedurat për urdhra mbrojtës por gjithashtu i janë dhënë edhe shumë e shumë të drejta procedurale Viktimave të krimit.
Para se të përmbyll, dua të theksoj se vendimi për të zhvendosur Divizionin për Ndihmë Viktimave tek Kryeprokurori i Shtetit ka rezultuar në një vendim të qëlluar dhe ashtu siç edhe kemi parashikuar. Ky Divizion ka dhënë rezultate konkrete ç’rast edhe akomodimi i nevojave të viktimave nën një kulm është treguar të jetë më efikas dhe ne jemi të lumtur për këtë gjë. Viktimat e krimit kanë përfituar nga përkrahja e duhur psikike dhe juridike dhe i kanë ndihmuar edhe Prokurorëve tanë në vendosjen e drejtësisë për ta. Siç e thashë edhe fare në fillim, asnjëri prej nesh nuk mund të ndihet i lumtur për të qenë sot këtu, mirëpo, besoj se të gjithë pajtohemi që jemi të lumtur që së bashku, çdo ditë, po mundohemi që të shtyjmë limitet tona dhe të bëjmë sa më shumë për viktimat e krimit në të dyja kapacitetet tona, njerëzore dhe si përgjegjës institucionesh.
Për fund dhe përfundimisht gjëja më e rëndësishme që do ta them sot, është pikërisht drejtuar viktimave të krimit. Dua që ata të mos ndihen vetëm. Dua që ta ndjejnë përkrahjen tonë institucionale dhe njerëzore. Dua që të ju bëjë thirrje që të ngritin zërin ndaj dhunës dhe të mos kenë frikë. Përkundrazi, ata duhet t’ju drejtohen organeve gjegjëse me kërkesat e tyre dhe t’i shfrytëzojnë mjetet efikase në dispozicion për mbrojtjen e te drejtave të tyre. Guximi juaj për të folur kundër të së padrejtës shumë lehtë mund të shndërrohet në lehtësimin e gjendjes suaj dhe në gjetjen e paqes tuaj. Guximi juaj kurrsesi s’mund të kthehet kundër jush”.