
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në Konferencën vjetore të gjyqësorit, të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Në këtë konferencë në të cilën u diskutua për fillimin e implementimit të sistemit të ri gjyqësor nga Janari 2013, Ministri Kuçi para të pranishmëve tha ”Kam kënaqësinë që të ju drejtohem sot në një forum të këtillë për të diskutuar për një fazë krejtësisht të re për gjyqësorin dhe drejtësinë në Kosovë.
Ka kohë që drejtësia Kosovare ka pritur një reformë të këtillë të thuktë, prandaj në momentet kur realizimi i saj po afrohet, ne duhet të jemi më të gatshëm se kurdoherë.
Unë kam pranuar me kënaqësi detyrën time si Ministër i Drejtësisë, përveç asaj të Zëvendëskryeministrit për çështje të rendit dhe ligjit, pikërisht në këtë fazë të përgatitjeve për reforma të mëdha. Dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, ndonëse të stërmbushur me punë dhe angazhime, ka qenë nderi im që të mund të ndihmoj me fuqitë e mia për të shtyre përpara reformën që na pret nga Janari 2013.
Si Ministër i Drejtësisë, gjatë gati dy viteve të fundit, kam punuar në dy sfera kryesore për të ndihmuar punën e gjyqësorit: në krijimin e një arkitekture të mirëfilltë ligjore dhe në përcaktimin e standardeve më të larta për drejtësinë në Kosovë. Përmes kësaj, Ministria e Drejtësisë është përkushtuar në atë që e kemi quajtur avancimin e kushteve të punës së gjyqësorit dhe prokurorive dhe këtë e kemi bërë kryesisht në dy mënyra: në fuqizimin e insfrastrukturës ligjore dhe në përmirësimin e kushteve materiale e fizike të punës së tyre.
Duke miratuar ligje efikase, bazuar në direktivat e aktet tjera më të reja të BE-së, e me konsultimin e plotë të KGJK-së e KPK-së, ne po synojmë të arrijmë që gjyqtarët dhe prokurorët tanë t’i fuqizojmë në mënyrë të tillë sa të kenë të gjitha mjetet ligjore në shërbim për të luftuar kriminalitetin në Kosovë. Ndërkaq në përmirësimin e kushteve materiale e fizike të punës së tyre, e kam fjalën për sigurimin e pagave më të mira, emërimeve të përjetshme, përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave dhe ndërtesave por pa e lënë anash edhe gatishmërinë e përhershme për t’ju siguruar atyre mbrojtjen fizike sipas kërkesës dhe nevojës së tyre.
Gjatë kësaj periudhe përgatitore për strukturën e re të gjykatave, Ministria e Drejtësisë ka përpiluar një Kod të ri Penal, i cili ndërthurë praktikat më të veçanta, më të suksesshme të luftimit të kriminalitetit jo vetëm në Evropë por edhe në SHBA. Më bashkëpunimin e thellë e të vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane dhe institucionet e BE-së në Kosovë, kemi arritur që të ndërtojmë një Kod i cili ashpërson politikat dënuese në shumicën e krimeve të cilat rëndojnë Kosovën më shumë, e që janë krimi i organizuar, korrupsioni, krimet e zgjedhjeve dhe shumë krime të tjera. Kemi punuar shumë që të definojmë më mirë shumë vepra penale të cilat kanë ekzistuar më parë, në mënyrë që gjyqtarët të kenë më të lehtë që të aplikojnë ligjin. Gjithashtu kemi përcaktuar më mirë mënyrat dhe shkallët e dënimit, në mënyrë që gjyqtarët mos të akuzohen për diskrecionin që ushtrojnë në masën e dënimit.
Kemi sjellë gjithashtu një Kod të ri të Procedurës Penale, me të cilin kemi synuar të sjellim ndihmë të madhe për prokurorët dhe gjyqtarët sërish në luftimin e krimit në vendin tonë. Në këtë Kod kemi punuar shumë në qartësimin dhe kufizimin e procedurave të shumta të cilat shpeshherë kanë stërzgjatur dhe kanë penguar punën fisnike të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kemi punuar shumë në eliminimin e shumë procedurave dhe elementeve të procedurës penale të cilat kanë qenë jo-efikase në të kaluarën, si për shembull procedura e konfirmimit dhe gjyqtarët laikë/porotë. Kemi punuar shumë gjithashtu në efikasitetin e marrjes së masave të fshehta të hetimit, përgjimeve, simulimeve dhe marrjen e të dhënave financiare shumë më parë në procedurë.
Dua të veçoj se me këtë Kod të procedurës, kemi menduar shumë për efikasitetin e gjyqësisë sonë: kemi marrë parasysh numrin e ulët të gjyqtarëve, në këtë mënyrë kemi ndërtuar procedura që kërkojnë një numër shumë më të ulët të gjyqtarëve në procedurë, por duke u kujdesur shumë që këto risi të mbrojnë maksimalisht të drejtat e qytetarëve tanë. Për këtë, kemi konsultuar vazhdimisht praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke garantuar kështu që Kodi që po ndërtojmë të jetë në hap më praktikat më të fundit të interpretimit të standardeve për të drejtat e njeriut.
Më tej, kemi përpiluar e miratuar edhe një sërë ligjesh tjera, për të mundësuar që një proces gjyqësor të shkojë në mënyrë sa më të rregullt, përfshirë këtu Ligji për mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, për mbrojtjen e informatorëve, Ligji për përgjegjësin penale të personave juridik dhe shumë të tjerë në fushën penale. Së fundi përpiluam edhe ligjin për konfiskim e pasurisë, i cili sipas ekspertëve që kanë hulumtuar këtë fushë, është një nga armët më të forta të gjyqësisë dhe prokurorisë kundër kriminelëve të krimit të organizuar e korrupsionit.
Por nuk kemi lënë anash as aspektin civil të gjyqësisë, së cilës i kemi sjellë një Ligj të ri për Detyrimet, plotësimin e ligjit për Procedurën Kontestimore e veçanërisht atë për Procedurën Përmbarimore. Të gjitha këto sjellin shumë risi të cilat presim që do të reformojnë dhe përmirësojnë efikasitetin e gjyqësorit në rrënjët e tij.
Nuk duhet harruar lehtësia e madhe që i është bërë gjyqësorit me fillimin e punës së sistemit të noterisë, ndërmjetësimit, arbitrazhit dhe së shpejti edhe me përmbaruesit privatë. Të gjitha këto mjete alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, do të ndihmojnë shumë në shkarkimin e gjyqësorit nga barra e shumtë që ajo ka.
E të gjitha këto ligje të reja, gjithsesi duhen të vijnë së bashku me edukim të fuqishëm të vazhdueshëm ligjor për gjyqtarët dhe prokurorët tanë. Ndonëse për këto faza fillestare gëzojmë mbështetjen e shumë donatorëve për trajnimin e Gjyqtarëve e Prokurorëve, ne tashmë kemi filluar planifikimin konkret për reformimin e Edukimit të Vazhdueshëm Ligjor, me themelimin e Akademisë së Drejtësisë. Më këtë synojmë që të ngrishmin kualitetin e gjykimeve, nga aty ku ajo duhet të fillojë: në edukimin e mirëfilltë. Prandaj, ndonëse ky është një projekt që do të marrë kohën e tij, ne do të mundohemi që në afat sa më të shpejtë të përqendrojmë forcat tona në përmirësimin e edukimit ligjor.
Tani, me kërkesën e KGJK dhe KPK jemi në procesin e amandamentimit të disa aspekteve të ligjit për Gjykatat, KGJK-së, KPK-së, Prokurori Speciale dhe Prokurorin e shtetit. Përveç që do të ndërtojmë një dhomë të re për Gjykatën Themelore në Prishtinë për të trajtuar çështje nga kompetencat e PSRK-së, në do të mundohemi që t’i ndihmojmë efikasitetit të prokurorisë dhe gjyqtarëve përmes ri-definimit të kompetencave të PSRK-së.
Zonja dhe zotërinj,
Është duke u bërë një punë e madhe në reformimin e gjyqësorit, dhe ju si gjyqtarë e shihni këtë më mirë së të gjithë ne. Ju do të keni ligje të reja, procedura të reja, strukturë të re, duke filluar nga janari dhe kjo sigurisht do të kërkojë punë të dyfishtë nga ju. Por unë sot dua të rikujtoj që sytë e të gjithë qytetarëve të Kosovës sot janë të kthyer kah gjyqësia. Dhe me punë të ndershme, efikase e të drejtë do të jeni ju ata që i mundësoni qytetarëve tanë jetë të dinjitetshme, besim në gjithë institucionet e Kosovës dhe do të shtyni përpara të gjitha proceset në të cilat po çalon sot Kosova.
Dhe ndërkohë që ne jemi duke punuar për t’ua bërë këtë punë sa më të lehtë juve si gjyqtarë, do të kërkojmë vazhdimisht përkushtimin tuaj maksimal për të arritur këto aspirata tona. “Nëse ne nuk e mbajmë drejtësinë, as drejtësia nuk do na mbajë neve” (Francis Bacon). Dhe prandaj, duke u rikujtuar që Qeveria e Kosovës do të jetë plotësisht mbështetëse ndaj kërkesave tuaja, kërkoj që me zellin dhe profesionalizmin tuaj të ndihmoni qytetarët e Kosovës të realizojnë ëndrrën e tyre për një jetë të drejtë dhe të dinjitetshme”.