
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë kryesore të javës për të drejtat e viktimave të krimit, e organizuar nga Kryeprokurori i Shtetit.
Me këtë rast, Ministri Kuçi ka thënë së Ministria e Drejtësisë ka bërë dhe bën përpjekje të vazhdueshme për të siguruar në masë të madhe të drejtat e viktimave dhe punojnë që shkelje e të drejtave të njeriut mos të ndodhin, njëkohësisht kujdesen që aty ku janë shkelur të drejtat, të vihet drejtësia dhe viktimat të jenë në paqe.
Ministri Kuçi tha se kalimi i Divizionit për Ndihmë Viktimave, nga Ministria e Drejtësisë tek Kryeprokurori i Shtetit, ka pas qëllim akomodimin më të mirë të viktimave, në mënyrë që ata t’i gjejnë të gjitha ndihmat nën një kulm, dhe shtoi se ashtu siç shihet, ky Divizion tashme është më efikas.
Ministri foli edhe për masat legjislative që janë marrë në mbrojtjen e viktimave të krimit. “Në Kodin e ri Penal, janë ashpërsuar shumë dënimet, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me të ashtuquajturat “viktima të ndjeshme” duke përfshirë këtu anëtarët e familjes, gruan dhe fëmijët, me ç’rast aplikohet politikë shumë më e ashpër dënuese. Përveç kësaj, janë shtuar edhe shumë vepra penale të reja, janë definuar më mirë ato ekzistuese, në mënyrë që të mbrohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve deri në maksimum. Në Kodin e ri të Procedurës Penale, jo vetëm që kemi përmirësuar procedurat për urdhra mbrojtës, por gjithashtu i janë dhënë edhe shumë e shumë të drejta procedurale Viktimave të krimit”, tha Ministri Kuçi.
Kuçi tha se më Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, me nenin 12 të ligjit, parashihet të krijohet një Fond për Kompensimin e Viktimave me 10% të të ardhurave të cilat janë konfiskuar, ku sipas tij, kjo do të ndihmojë të realizohet një nevojë e gjatë për kompensimin e viktimave të krimit, edhe në rastet kur i dënuari nuk ka mundësi të bëjë kompensimin e tyre.
Në fund të fjalës së tij, Ministri Kuçi bëri thirrje për sensibilizim më të madh në mbrojtjen e viktimave të krimit, ndërsa nga ata që vuajnë nga çfarëdo shkelje e të drejtave të tyre, ato t’i adresojnë tek autoritetet gjegjëse.