Skip to content
Kuçi: MD mbetët e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrime evropiane

Kuçi: MD mbetët e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrime evropiane

Prishtinë, 17/12/2013

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, i cili u kryesua nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Duke folur para të pranishmëve të këtij këshilli lidhur me të arriturat në sistemin e drejtësisë, ministri Kuçi tha së është arritur të krijohet një arkitekturë e sistemit të drejtësisë e cila bazohet në standardet ndërkombëtare.

“Ne jemi fokusuar në krijimin e një kornize të përshtatshme ligjore e cila ndjek standardet më të larta evropiane në fushën e gjyqësorit, prokurorisë dhe drejtësisë në përgjithësi. Kemi krijuar parakushtet e nevojshme përmes së cilave, sot mund të kërkojmë pavarësi, paanshmëri, profesionalizëm, llogaridhënie dhe rezultate konkrete nga gjyqësori dhe prokuroria në Kosovë” tha Kuçi.  

Ministri Kuçi foli edhe për punët që janë bërë në drejtim të pavarësisë së gjyqësorit, siç janë: mandati i përjetshëm, ngritja dhe nivelizimi i pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, krijimin e kushteve më të mira fizike të gjykatave dhe prokurorive etj. 

Lidhur me lehtësimin e punës së gjyqësorit, Ministri Kuçi tha së kanë krijuar dhe funksionalizuar Sistemin e Noterisë, Sistemin e Ndërmjetësimit, Arbitrazhit dhe tani së fundi me miratimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore është bërë përgatitja e Përmbaruesve të parë privatë, të cilët sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojnë punën, ai shtoi se gjithashtu janë duke punuar në krijimin e Akademisë së Drejtësisë.

Më tej, Kuçi foli edhe për hapat e mëtutjeshëm që pritët të merren si pjesë e reformimit të sistemit të drejtësisë. Sipas tij, duhet të ketë transparencë më të madhe dhe publikimin e vendimeve gjyqësore  të formës së prerë, lehtësimi i kritereve për prokurorë dhe gjyqtarë, krijimi i një mekanizmi për përfundimin e lëndëve të mbetura etj.

Kuçi tha se me reformë në sistemin e drejtësisë kanë pasur për qëllim që të bëhet përafrimi i legjislacionit të Kosovës me praktikat më të mira evropiane, të rritet efikasiteti në drejtësi me qëllim të qasjes ma të lehtë të qytetarëve etj.
Në fund të fjalës së tij, ministri Kuçi tha së mbetët i përkushtuar në bazë të kompetencave që ka në kryerjen e gjitha punëve që janë të parapara në agjendën e integrimeve evropiane.

 

Foto Galeria

Skip to content