
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi dhe Shefi i Komponetnës së Drejtësisë në EULEX, Silvio Bonfigli, sot vizituan Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku u takuan me Drejtorin e kësaj qendre, Haki Maxharraj dhe me Udhëheqësin e ekipit monitorues të EULEX-it në Dubravë, Theodorus Kuys, për të diskutuar dhe për të ndarë pikëpamjet e tyre lidhur me punën dhe arritjet e kësaj qendre.
Lidhur me këtë vizitë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi tha: “Pata një vizitë me Shefin e Komponetnës së Drejtësisë në EULEX, Silvio Bonfigli, për të treguar angazhimin dhe përkushtimin tonë për Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), por njëkohësisht për të treguar që kemi vizion të përbashkët me EULEX-in, për përmirësimin e kushteve në SHKK.
Pashë përmirësime të përgjithshme, por ka edhe shumë punë që duhet t’i bëjmë. Kam bashkëpunuar ngushtë dhe po bashkëpunoj me stafin e EULEX-it, në ngritjen e kapaciteteve tona në transparencën e plotë përballë qytetareve. Ne kemi logjiken të bëjmë një vijë ndarëse në mes të asaj që i thonë burg ku duhet të respektohet ligji dhe asaj që këtu kemi njerëz dhe duhet t’i respektojmë liritë dhe të drejtat e njeriut”.Ndërsa, Shefi i Komponetnës së Drejtësisë në EULEX, Silvio Bonfigli, tha: “EULEX-i ka një marrëdhënie të afërt të punës me SHKK-në dhe është mirë që sot shohim që ekspertiza dhe përvoja jonë në Dubravë ka kontribuar në progres. Sot kemi diskutuar se si në mund të ndërtojmë decentralizimin e administratës dhe riintegrimin social të ish të burgosurve në shoqëri”.
Qendra Korrektuese në Dubravë ka kapacitet për akomodimin e 1104 të burgosurve dhe mesatarisht në mbajtje të dënimit gjendën 700 deri 800 të burgosur, ka pasur raste edhe kur e ka kaluar shifrën 1 mijë. Në Qendrën Korrektuese në Dubravë në vazhdimësi është investuar në renovimin e objekteve ekzistuese dhe në ngritjen e kapaciteteve të reja. Kohëve të fundit është investuar në ndërtimin e thertores si nevojë e domosdoshme për hapjen e fermës së gjedheve. Po ashtu, këtë vit është përuruar edhe objekti për “të dënuarit dëshmitar të mbrojtur”. Ky institucion për nga hapësira, ndriçimi, ngrohja, ventilimi, trajtimi dhe akomodimi i të burgosurve, plotëson kushtet dhe standardet e parapara me ligj dhe standarde ndërkombëtare.Në këtë institucion gjendet spitali për trajtimin shëndetësor të burgosurve dhe 4 qendra të trajnimeve profesionale me 4 profesione, ku mbikëqyrjen e trajnimeve profesionale dhe certifikimin e bën Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social. Po ashtu, ekziston shkolla fillore dhe e mesme me 3 profesione, për organizimin e mësimit, programet dhe stafin është përgjegjëse Ministria e Arsimit.
Krahas këtyre ekzistojnë edhe objektet përcjellëse për aktivitete kulturo-artistike dhe sportive. Amfiteatri me kapacitet prej 250 vendeve, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme të cilat organizohen nga jashtë dhe mbështetën nga Ministria e Kulturës, por organizohen aktivitete edhe nga të burgosurit dhe salla e edukatës fizike, ajo e bodibildingut, si dhe fushat e hapura sportive të futbollit. Qendra Korrektuese në Dubravë ka mbështetje të madhe nga EULEX-i. Ekipet monitoruese të EULEX-it në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit, ofrojnë asistencë teknike të eksperteve për SHKK-në, ndihmojnë në reformimin e burgjeve, në riintegrimin e të burgosurve, trajnimin e stafit të SHKK-së, në transportin e të burgosurve, në sigurinë e qendrave korrektuese dhe atyre të paraburgimit.