
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek.
Ministri Kuçi, falënderoi Eurodeputeten Lunacek për kontributin e saj dhënë për Kosovën, në veçanti për raportimin që ka bërë për Kosovën dhe procedimin e rezolutës për Kosovën në Parlamentin Europian.
Në këtë takim u diskutua edhe për procesin e tranzicionit te EULEX-it, konkretisht për procesin e koordinimit dhe negocimit, si dhe për proceset e integrimeve europiane.
Kuçi tha se institucionet e Kosovës janë të gatshme të marrin përsipër kryerjen e detyrave të parapara me ligj, duke vlerësuar se ndihma e misionit të BE-së është e nevojshme në formë të asistencës këshillëdhënëse për ngritjen e kapaciteteve në disa fusha specifike. Kuçi theksoi që proceset e integrimeve evropiane duhet të intensifikohen dhe se Kosova është e gatshme t`i përmbushë të gjitha obligimet.
Eurodeputetja Lunacek, shprehu konsideratën për bashkëpunim të mirë që ka me të gjitha institucionet e Kosovës, duke vlerësuar punën dhe zhvillimet e fundit në vend. Ajo tha se kanë vërejtur progresin e shënuar në fushën e drejtësisë, gjë që sipas saj duhet të reflektohet në të gjitha proceset.
Megjithatë, Lunacek përmendi disa fusha ku ende ka punë për të bërë në fushën e drejtësisë, përkatësisht në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe mbrojtjen e dëshmitareve. Ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe nevojën që EULEX-i dhe misionet e tjera të veprojnë në partneritet me institucionet e Kosovës.