
Sot, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi priti në një takim Zëvendëskryeministrin e Turqisë z.Bekir Bozdag. Në një takim në atmosferë miqësore, të dy zëvendëskryeministrat kanë biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të vendeve tona si dhe për thellimin e mëtejmë të tyre në fusha të ndryshme. Zëvendëskryeministri Kuçi e ka falenderuar homologun e tij turk, z.Bozdag për ndihmën që e ka dhënë Turqia deri më tani në shumë fusha për shtetin e Kosovës, posaçërisht për mbështetjen e pakusht të pavarësisë së Kosovës qysh nga zanafilla e saj dhe për lobimin e vazhdueshëm që ajo bën për të sjellë njohje edhe nga shtete të reja, për çka ka kërkuar mbështetjen e Turqisë edhe në të ardhmen. Gjatë takimit, z. Bozdag ritheksoi qëndrimin e shtetit Turk se “Pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë çështje të padiskutueshme”. Pas takimit Zëvendëskryeministri Kuçi deklaroi ”pata kënaqësinë e veçantë që e takova Zëvendëskryeministrin e Turqisë të një shteti mik të cilin e falënderova për mbështetjen e fortë që jep Turqia për Republikën e Kosovës. Turqia është një prej shteteve të para që e ka njohur Pavarsinë e Kosovës dhe që vazhdon fuqishëm ta mbeshtesë Kosovën edhe në kuptimin e sovranitetit e tërsisë territoriale por edhe të prezantimit në arenën ndërkombëtare”.
“E njoftova Zëvendëskryeministrin për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon, për procesin e përmbylljes së Mikqyrjes së Pavarësisë, për qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që duhet ta implementohen marrëveshjet e aritura në dialogun teknik, që të gjitha, të shtatë marrëveshjet e me theks të veçant ajo për menagjimin e inergruar të kufinjve, po ashtu për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim, paqe dhe fqinjësi te mirë në rajon, ku edhe Republika e Turqisë mund të luajë një rol pozitiv krahas SHBA-ve dhe BE-së”- tha Kuçi pas takimit.
Po ashtu në këtë takim është theksuar edhe niveli i bashkëpunimit ekonomik, dhe po ashtu bashkëpunimi kulturor në mes të dy popujve tanë. Zëvendëskryeministri Kuçi e ka falënderuar homologun e tij edhe për ndihmën që ka dhënë TIKA e Turqisë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë por edhe për bursat e ndryshme për studentët, dhe ka kërkuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Zëvendëskryeministri Kuçi ka kërkuar nga Zëvendëskryeministri turk Bozdag vazhdimin e mëtejshëm nga Republika e Turqisë në lobimin për njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës e sidomos në shtetet e botës islame në të cilat ka ndikim. Po ashtu e ka njoftuar se Kosova së shpejti do të aplikojë për anëtarësim në Bankë Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH, duke qenë kështu mirënjohës për ndihmën që Qeveria e Turqisë ka dhënë tashmë në lobimin në shumë vende anëtare.
Ndërsa si Ministër i Drejtësisë, z.Kuçi ka kërkuar bashkëpumimin e mëtejmë edhe në këtë fushë. “Si Ministër i Drejtësisë kërkova që të bëjmë bashkëpunime edhe në këtë fushë në ngritjen e kapaciteteve për Akademinë e Drejtësisë dhe në trajnimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve tanë, e në veçanti të sigurohen bursa për studentët tanë në Turqi”- ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri i Turqisë, z. Bekir Bozdag theksoi marrëdhëniet e thella historike ndërmjet dy popujve tonë dhe uroi që të vazhdojë edhe në të ardhmen bashkëpunimi i shumë anshëm social, kulturor, ekonimik e politik. Ai shprehu admirimin e tij për avancimin dhe përparimin e Kosovës posaçërisht pas shpalljes së pavarësisë ‘’ky sukses në një periudhë shumë të shkurtër e korri edhe frytin e saj, dhe përfundimi i mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës e cila do të zhvillohet më 10 Shtator të këtij viti është një sukses shumë i madh dhe kjo do të thotë një pavarësi e padiskutueshme për Kosovës”-deklaroi z.Bozdag. Ai gjithashtu shprehu qëndrimin e shtetit turk për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës duke thënë se “ne sot gjetëm mundësi të shprehim mendimin tonë që integriteti teritorial dhe pavarësia e Kosovës janë tema të padiskutueshme. Ne e shprehëm besimin tonë se një Kosovë me integritet territorial të plotë, me një pavarësi dhe sovranitet të plotë do të jetë një çelës i stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme ne rajon”. Po ashtu Zëvendëskryeministri turk Bozdag deklaroi rëndësinë e madhe që shteti dhe Kryeministri turk i japin investimeve ekonomike në Kosovë “në këtë kuadër ne bëjmë stimulime serioze në sektorin privat atje prandaj në këtë aspekt përkrahja e Qeverisë së Kosovës për këto investime është jetike dhe e falenderojmë shume për pëkrkrahjen që na është ofruar” tha z. Bozdag. Gjithashtu ai premtoi se numri i bursave i siguron shteti turk për studentët Kosovarë që të studiojnë në Turqi do të rritet në vitet në vazhdim, ashtu siç do të thellohet edhe bashkëpumimi në fushën e drejtësisë ndërmjet dy vendeve tona.