Skip to content
Kuçi: Puna në sistemin e drejtësisë më shumë se profesion, është mision

Kuçi: Puna në sistemin e drejtësisë më shumë se profesion, është mision

Prishtinë, 07/04/2014

Puna në sistemin e drejtësisë nuk duhet të kuptohet vetëm si profesion, ajo është mision, kështu tha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, gjatë ceremonisë së certifikimit të 33 kandidatëve që kanë dhënë provimin e Jurisprudencës.

Ministri Kuçi tha se kandidatët që kanë dhënë provimin e Jurisprudencës i kanë hapur dyert vetës që të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, sistem në të cilin bëjnë pjesë gjykatat, prokuroritë, avokatura etj. Kuçi tha se institucionet e Kosovës kanë bërë punë të mirë në hartimin e legjislacionit modernë, krijimin e kushteve për punë dhe stimulimin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë. 

“Vendosja e rendit dhe ligjit, angazhimi i njerëzve për jetë të barabartë të qetë dhe të sigurt, është mision që ja kemi vënë vetës. Riemërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendin tonë ka ofruar mundësin që tani të gjenerojmë me shumë punë, kualitet, por edhe më shumë qasje të njerëzve në drejtësinë tonë. Bashkëngjitja e njerëzve në këtë sistem, besoj që do të jetë një sukses edhe më i madh për të ardhëm e sistemit tonë të drejtësisë”, tha Kuçi.

Ai tha se të gjithë së bashku do ta ndërtojmë një sistem dhe ky sistem i drejtësisë në Kosovë ka kapacitetet e krahasueshme me vendet e rajonit dhe ka fuqinë e përballimit me drejtësisë dhe shtoi se këta kandidatë pa marrë parasysh se në cilën pozitë punojnë, çoftë si gjyqtar, prokuror, apo avokat, ata i bashkon ligji dhe e drejta.

Ceremonia e certifikimit të kandidatëve që kanë dhënë provimin e Jurisprudencës është përshëndetur edhe nga Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi dhe Kryetar i Gjykatës Supreme, njëherësh Kryetarë i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani. Ata thanë se dhënia e provimit të Jurisprudencës është hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm për inkuadrim në sistemin e drejtësisë. Gjatë ceremonisë nuk u la pa u përshëndetur edhe puna e mirë që kanë bërë Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Foto Galeria

Skip to content