Skip to content
Kuçi: Raporti ka theksuar qartë pavarësinë institucionale të gjyqësorit

Kuçi: Raporti ka theksuar qartë pavarësinë institucionale të gjyqësorit

Prishtinë, 24/01/2012

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në publikimin e raportit për Pavarësinë e Gjyqësorit në Kosovë: Dimensionet institucionale dhe funksionale, të organizuar nga OSBE-ja.

Zëvendëskryeministri Kuçi tha se raporti ka theksuar qartë pavarësinë institucionale të gjyqësorit, si dhe punën e madhe që ka bërë Qeveria e Kosovës për të siguruar pavarësinë institucionale të gjyqësorit dhe për t’i krijuar atij kushte sa më të mira të punës.

“Dua të përmend përkrahjen e vazhdueshme që kemi ofruar kryesisht përmes Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në nivel qeveritar për kërkesat që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka parashtruar për ne. Këtu përfshihet edhe krijimi i infrastrukturës ligjore e nënligjore, sigurimi i buxhetit për mbi 140 gjyqtarë shtesë për vitin 2011, ngritja e pagave të gjyqtarëve në një nivel shumë të kënaqshëm dhe ndërlidhja e tyre me pagat e ministrave”, tha Kuçi.

Lidhur me sfidat e gjyqësorit të paraqitura në raport, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se nuk është shumë i kënaqur me pavarësinë e gjyqtarëve në kryerjen e punëve të tyre, sfidë që është përmendur edhe në Raportin e Progresit të vitit 2011, por sipas tij, ngritja e nivelit të profesionalizmit tek të gjithë gjyqtarët, do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre gjatë kryerjes së punëve. Për këtë, sipas Zëvendëskryeministrit Kuçi, Qeveria e Republikës së Kosovës po mundohet që të investojë sa më shumë në përkrahje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në mënyrë që të ngritën kapacitet e gjyqtarëve.

Ai me këtë rast përmendi iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për të krijuar Akademinë e Drejtësisë përmes së cilës do të investohet drejtpërdrejtë në edukimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve e prokurorëve, në mënyrë që të punohet vazhdimisht në kualitetin dhe profesionalizmin e tyre. 

Foto Galeria

Skip to content