
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën gjithëpërfshirëse mbi rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, duke folur për procesin e Integrimit Evropian, Ministri Kuçi ka vlerësuar se ky proces është një lloj mjeti i presionit për reformim të shoqërisë duke i dhënë njëkohësisht edhe efektet e veta.
“Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asociim, jo vetëm që hap rrugë në drejtimin e marrëdhënieve kontraktuale, në raport me Unionin Evropian, por i definon qartë përgjegjësit dhe detyrat të cilat duhet t’i kryej secili prej nesh, dhe unë dua të besoj se këtë vit, kjo marrëveshje do të nënshkruhet, duke pasur kujdes që të respektohet ajo çka kërkohet nga Bashkimi Evropian”, tha Kuçi.
Gjatë kësaj konference, Kuçi informoi të pranishmit lidhur me zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit dhe reformat e ndërmarra me qëllim të konsolidimit të infrastrukturës ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore. Ai tha se, gjatë hartimin e ligjeve, kanë qenë në harmoni të plotë me Zyrën e BE-së në Kosove dhe EULEX-in, si dhe partnerët tjerë ndërkombëtar. Kuçi theksoi se këto ligje janë hartuar bazuar në kriteret të cilat kërkohen për Integrim në Unionin Evropian dhe ligje të cilat janë funksionale për Republikën e Kosovën.
“Sa i takon ligjeve të cilat kanë të bëjnë me drejtësinë, kemi pasur parasysh katër faktor të rëndësishëm: Pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin. Ju them me bindje të plotë se nuk ka ligje në rajon që pavarësinë e gjyqësorit e garanton me shumë se në vendin tonë, ashtu sikur paanshmërinë dhe profesionalizmin, mirëpo problemi qëndron te efikasiteti” tha Kuçi, duke theksuar se nuk është e mjaftueshme vetëm harmonizimi i ligjeve me ato të BE-së e pastaj zbatimi i tyre të ketë ngecje të cilat, sipas tij, vijnë si rezultat i shumë faktorëve.
Kuçi tha se, së bashku me partnerët ndërkombëtar, po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie dhe synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia të vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim.
Ministri Kuçi ka vlerësuar që secili nga akterët përgjegjës duhet ta ruajnë dhe forcojnë besimin në drejtësi. Ai tha se rritja e besimit të qytetarëve në drejtësi është puna jonë, detyra dhe qëllimi ynë. Kuçi ka theksuar se, gjyqësia profesionale është një nga kushtet kryesore për fuqizimin e besimit në drejtësi, duke potencuar faktin se në mandatin e tij si Ministër i Drejtësisë, është angazhuar që gjyqtarët të kenë mandat të përhershëm si dhe paga e tyre të jetë në nivel me atë të Ministrit.
Gjithashtu Ministri Kuçi i ka njoftuar të pranishmit lidhur me kërkesën që të themelohet një departament pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, për çështjet ekonomike, i cili ka të bëjë me investimet e huaja, që përmes këtij departamenti të krijohet një ambient i përshtatshëm për investitor të huaj. Përveç kësaj, Ministri Kuçi tha se, gjatë këtij mandati kanë themeluar grupin punues për Kodin Civil si dhe atë për Çështjet Pronësore, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u lehtësohet puna dhe kështu të fitojnë më lehtë besimin në drejtësi.
Ministri Kuçi shtoi se, ka shumë punë për të bërë për të arritur sistem edhe më funksional. Ai tha se gjatë këtij mandati në veçanti do të bëhet vlerësimi i infrastrukturës ligjore dhe harmonizimi institucional. “Gjatë këtij mandati kam krijuar një komision i cili do të merret me rishikimin e sektorit të drejtësisë. Ky rishikim do të jetë legjislativ dhe institucional. Unë do të angazhohem shumë që sistemi i drejtësisë të ketë sistem dhe hierarki, në mënyrë që të qartësohet se cila është adresa e suksesit por edhe e dështimit” tha Kuçi.
Për fund, Ministri tha se marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe liberalizimi i vizave, të cilat lidhen me Ministrinë e Drejtësisë, janë plotësuar në harmoni të plotë me Zyrën e BE-së dhe të EULEX-it. “Jam i bindur që bashkërisht do të bëjmë punë të mëdha. Ne kemi mbijetuar si komb, e kemi konsoliduar shtetin tonë, dhe tani duhet të na jepet mundësia që pran shteteve të tjera të ulemi të barabartë, si qytetar, njerëz të drejtësisë, shkencës, politikës e fushave të tjera, ku interesi ynë për këtë barazi nuk do të ishte për të fituar në secilin rast, por pjesëmarrja me të drejta të barabarta”, tha Kuçi.