
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në publikimin e raportit mbi gjykimet për krime lufte dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë në vitin 2013, e cila u organizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve të kësaj tryeze, Ministri Kuçi tha:
“Kjo temë, këto gjykime dhe hetime të kësaj natyre në Kosovë janë sensitive dhe ky sensitivitet i prek të gjitha vendet e pas luftës të cilat shpesh shkaktojnë edhe debate kundërthënëse. Duhet të punojmë edhe më shumë në sensibilizimin e shoqërisë tonë në tërësi dhe trajtimin e këtyre rasteve si raste të rëndomta.
Shoqëria e Kosovës ka tregu një pjekuri të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe dua të them që veçanërisht në rastet e krimeve të luftës kemi treguar një bashkëpunim të theksuar me drejtësinë ndërkombëtare, duke pasur parasysh bashkëpunimin që ka bërë çdo individ i cili ka qenë i akuzuar në Gjykatën e Hagës dhe institucionet e Kosovës, por duhet ta pranojmë edhe bashkëpunimin që kanë pasur me UNMIK-un dhe EULEX-in.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë që ky bashkëpunim ka qenë unikat për sa i përket Kosovës dhe në këtë besoj për dy arsye: e para ka qenë bindja jonë që ne kemi bërë luftë të drejtë, që njerëzit tanë nuk kanë bërë shkelje të së drejtës ndërkombëtare apo asaj humanitare dhe arsyeja e dytë është se, ne kemi treguar partneritet me faktorin ndërkombëtar edhe kur ai partneritet ka mundur të jetë në dëm të një individi apo grupimi politik, por edhe i të kaluarës sonë. Megjithëkëtë fundi i rezultateve të gjykimeve të Hagës ka treguar që bashkëpunimi ka dhënë rezultate, por njëkohësisht ka treguar dhe vërtetuar që njerëzit tanë kanë bërë luftë të drejtë dhe veprimet e tyre nuk kanë qenë inkriminuese.
Kur e them këtë kam parasysh që shumë kategori të këtyre veprave penale që është rast unikat për faktorët ndërkombëtarët dhe për zhvillimet edhe tani edhe në të ardhmen, se Kosova është vendi më unikat në botë, e them në cilësinë e studiuesit të drejtësisë, që 15 vite pas lufte, kompetencat qind për qind i kanë pasur faktorët ndërkombëtar, këtu kam parasysh edhe Tribunalin e Hagës, UNMIK-un dhe EULEX-in. E gjithë drejtësia në vendin tonë për krimet e luftës ka mund të ketë sukses apo edhe të dështoj dhe kjo ka qenë përgjithësi vetëm e faktorit ndërkombëtar, pasi vendorët nuk kanë pasur asnjë fuqi, prandaj nuk mund të thuhet se ka dështuar sistemi i drejtësisë në vend dhe kjo nuk ka qenë gjë e mirë pasi që në Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ndër të tjera është thënë : “Gjykimet për krimet e luftës do ta kenë natyrën e plotë dhe legjitimitetin e plotë nëse bëhen nga kombi i njëjtë, jo nëse bëhen nga të tjerët”. Dhe në Kosovë ka ndodhë çdo rast që ne kemi fituar, perceptimi ka qenë që po e bëjnë të tjerët.
Unë si Ministër i Drejtësisë kam dëgjuar nga mediat, jam i bindur se edhe Kryeprokurori i Shtetit dhe të tjerët kanë dëgjuar nga mediat për rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Po e them se faktori ndërkombëtar ka pasur dhe ka kompetenca të plota.
Çështja tjetër në rëndësi me këtë, ne kemi pasur marrëveshje me EULEX-in, pasi e kemi ftuar i kemi dhënë edhe kompetenca në këtë drejtim dhe u jemi mirënjohës për punën që e kanë bërë, por duhet që ta pranojmë një fakt që ka nevojë të bëhet një tranzicion edhe sa i përket ndjekjes penale me akterët vendor, por edhe në gjykime. Mendoj se nga qershori duhet të kalojmë në një pozicion tjetër, me dy vendor dhe një ndërkombëtar. Në këto raste unë kam propozuar ta themelojmë një Dhomë të Veçantë në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kjo Dhomë nuk ka të bëjë me zhvillimet e fundit që përmenden lidhur me Tribunalin apo format tjera. Nëse e shihni propozimin që e kam dhënë si Ministër i Drejtësisë nga viti 2011, Dhoma e Veçantë kam menduar se duhet t’i trajtojë të gjitha aktakuzat që dalin nga Prokuroria Speciale.
Sot kemi Prokuror të Prokurorisë Speciale të cilët ngritin aktakuza, ata prokuror mendoj se janë më profesional, vendor dhe ndërkombëtar, besoj se janë trajtuar më mirë, por kemi trajtim nga gjyqtarët të cilët mund të jenë nga gjykatat e ndryshme dhe nëse e kemi një Prokurori Speciale duhet ta kemi edhe një Dhomë të Veçantë e cila duhet të merret me raste të tilla dhe unë i definojë pesë kompetenca: krimet e luftës, terrorizmin, shpëlarjen e parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Janë këto pesë kompetenca për të cilat duhet të kemi një ekuivalencë dhe Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të ketë kompetenca tjera. Duhet të kemi parasysh një balancë në mes të ndjekjes penale dhe lirive dhe të drejtave të njeriut, nëse e shihni Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, unë si Ministër i Drejtësisë dhe sponsorizues i atyre dy kodeve kam qenë i kujdesshëm që t’i balancojë liritë dhe të drejtat e njeriut me ndjekjet penale.
Duhet të punojmë që palët në Gjykatë të jenë të barabartë dhe duhet të ketë sukses drejtësia dhe drejtësia ka sukses atëherë kur ligji sundohet me ligj. Si Ministër i Drejtësisë, bashkë me institucionet tjera kemi krijuar infrastrukturën e domosdoshme që drejtësia të shkojë në vend, që gjyqtarët dhe prokurorët t’i kenë instrumentet e duhura për të bërë punën të pavarur, profesionale dhe të paanshme, por edhe të akuzuarit t’i kenë të drejtat e tyre që t’i realizojnë dhe të vihet drejtësia në vend.
Ne duhet të kalojmë në një fazë tjetër, kur roli i gjyqtarëve dhe prokurorëve vendor rritet dhe nuk kam dilemë në këtë gjë. Kosova ka kapacitete të mjaftueshme që të merret me raste të tilla të Prokurorisë Speciale. Me këto pesë kompetenca të lartë përmendura duhen dhjetë gjyqtarë dhe dhjetë prokurorë për trajtimin e këtyre rasteve dhe në këtë drejtim edhe në Kosovë ka njerëz të mjaftueshëm me guxim personal e profesional që të merren me raste të tilla”.