
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Evropës, Leo Tigges, me të cilin ka biseduar për ngritjen e bashkëpunimit të Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) me Shërbimin Sprovues të Evropës.
Pas takimit, Ministri Kuçi tha se do të punohet që dënimet alternative në Republikën e Kosovës që janë përgjegjësi e SHSK-së, të jenë në përputhje të plotë me standardet evropiane.
“Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim në aspektin profesional me Shërbimin Sprovues të Evropës, në veçanti për adaptimin e rregullave evropiane për SHSK-në, rregulla të cilat do të reflektojnë në ngritjen e kapaciteteve në SHSK-së dhe kjo mund të bëhet me anë të trajnimit të njerëzve tanë, që do të ndikonte që të dënuarit me dënime alternative t’i kushtojnë më pakë shtetit, njëkohësisht kjo është mënyra më e mirë për risocializimin e tyre”, theksoi Kuçi.
Në anën tjetër, Sekretari Tigges, pasi falënderoi Ministrin Kuçi për pritjen dhe bashkëpunimin, kërkoi nga prokurorët dhe gjyqtarët që të shqiptojnë sa më pak dënime me burg.
“Organizata e jonë i këshillon prokurorët dhe gjyqtarët që sa më pak të shqiptojnë dënime me burg dhe t’i aplikojnë më shumë dënimet alternative, sepse ky lloj dënimi ndikon në zvogëlimin e krimeve dhe veçanërisht në zvogëlimin e ripërsëritjes se veprave të krimit”, tha Tigges.
Shërbimi Sprovues i Kosovës është anëtar i organizatës evropiane të Shërbimit Sprovues, ndërsa vetëm në vitin 2011 ka trajtuar mbi 1000 raste të personave të dënuar.