
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), sot ka organizuar një debat lidhur me analizën e publikuar për pritjet, sfidat, rezultatet dhe synimet e EULEX-it.
Në këtë debat ishte i ftuar edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili para të pranishmeve tha se suksesi i EULEX-it është sukses për Kosovën.
Ai tha se me ardhjen e EULEX-it në Kosovë, është pritur konsolidim i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është pritur ndërtimi i bazës ligjore dhe strukturave institucionale për rend dhe ligj, është pritur luftimi i dukurive negative dhe përshpejtim në proceset integruese përmes këtij misioni.
Si sfida, Zëvendëskryeministri Kuçi ka përmendur mos shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës, mungesën e unitetit politik të BE-së lidhur me Kosovën, pritjet e larta të qytetarëve etj, ndërsa përmendi edhe të arriturat duke veçuar krijimin e një bazë ligjore të konsoliduar, plotësimin e institucioneve për rend dhe ligj në bazë të kritereve të BE-së dhe përparimin në luftimin e dukurive negative.
Në fund Zëvendëskryeministri Kuçi tha se EULEX-i duhet të punoj më shumë në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve vendore për marrjen e përgjegjësive nga to, duke shtuar që duhet të ketë një kalim gradual dhe bashkëpunues në bartjen e kompetencave nga ky mision në institucionet vendore. Ai tha se për ngritjen e imazhit të drejtësisë në Kosovë duhet të ketë më shumë veprime të përbashkëta në mes institucioneve vendore dhe EULEX-it.