Skip to content
Kuçi: Të drejtat e njeriut janë vlera që duhet t’i mbrojmë me sistem juridik

Kuçi: Të drejtat e njeriut janë vlera që duhet t’i mbrojmë me sistem juridik

Prishtinë, 15/06/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në Samitin e Kosovës për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtat e Njeriut 2015, të organizuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, para të pranishmëve në këtë Samit:

 “I nderuari Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Fejzulla Hasani, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Këshillit Gjyqësor, i nderuar Kryeprokuror z. Lumezi, shumë të nderuar gjyqtarë, ambasadorë, Zonja dhe Zotërinj, 

Më lejoni që fillimisht të falënderoj të gjithë të pranishmit, dhe veçanërisht Gjykatën Supreme, për një organizim të formatit të tillë të Samitit, i pari i këtij lloji në Kosovë, por me një frytdhënje për të gjithë ne që marrim pjesë në politikat e ndërtimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. 

Gjatë punës time si Ministër, më rastis të marr pjesë në shumë konferenca, forume e debate, aty ku diskutohet për çështje ligjore e shkencore, kam qenë më i fokusuar dhe shpesh herë kam pasur fatin që të kem një tendencë që të jem më shumë si profesor e jo Ministër dhe kjo nganjëherë është kritikuar nga kolegët e mijë në forume të ndryshme, dhe sot do të mundohem të qëndroj ndërmjet tyre.

Të diskutosh për Zhvillimin e të Drejtës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk do të mjaftonin jo 10 minuta, por as 10 orë, domosdo për këtë do të duhej të shikonim kontekstin historik të zhvillimit të të drejtave të njeriut që nga Lock-u, Mill, Lauterpacht,  duke u ndalur kështu për të diskutuar për zhvillimin e teorive të të drejtave të njeriut, nga Liberalizmi, tek Skepticizmi dhe Kriticizmi, Utilitarizmi, deri te Feminizmi e Marksizmi. 

Për t’i ikur transformimit të kësaj ligjërate në kontekst të kësaj konference, më lejoni të ikë nga aspekti historik, dhe të fokusohem në zbatimin e së drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, sot, veçanërisht në kontekst të aplikimit të saj direkt apo indirekt në Republikën e Kosovës. 

Ne jemi dëshmitarë të ndryshimit revolucionarë të qasjes ndaj të drejtave të njeriut që ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, ku njeriu dhe të drejtat e tij janë vendosur në qendër të vëmendjes jo vetëm të shteteve por edhe të organizatave që janë themeluar në vitet në vijim. Sot të drejtat e njeriut, nuk janë vetëm subjekt i mbrojtjes nga autoritetet shtetërore, por është krijuar një sistem i tërë ndërkombëtarë i mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, qoftë për nga aspekti legjislativ ashtu edhe institucional. 

Në veçanti, duhet të përmendim ndryshimet revolucionare të Draftimit, dhe Kodifikimit të Deklaratës Universale për të drejtat e Njeriut, si dokumenti i parë gjithëpërfshirës për të drejtat e njeriut, dhe pastaj Konventat e ndryshme ndërkombëtare, si dy Paktet, për të Drejtat Civile e Politike, dhe Ekonomike Kulturore e Sociale,  e shumë e shumë Konventa të tjera rajonale e ndërkombëtare. 

Zonja dhe Zotërinj,

Sot, kemi një sistem të konsoliduar të garantimit dhe mbrojtjes së të Drejtave të njeriut, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës dhe Konventat e Këshillit,  si dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e njeriut, jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të garantuara në Konventa por edhe në avancimin e këtyre të drejtave përmes interpretimit të këtyre të drejtave. Pastaj Gjykata Ndër-Amerikane për të Drejtat e Njeriut, dhe Gjykata Afrikane për të drejtat e njeriut, trupat e Kombeve të Bashkuara, në veçanti Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut. 

Tërë këto mekanizma jo vetëm se janë gardian i të drejtave të njeriut të garantuara me konventa dhe traktate të ndryshme, por edhe japin kontribut substancial në zhvillimin evolutiv të këtyre të drejtave. Marrim shembull kontributin e Gjykatës Inter-Amerikane dhe asaj Afrikane që kanë bërë në revolucionalizimin e pozicionimit dhe rolit të të drejtave ekonomike dhe sociale në botë si të drejta jo dytësore por esenciale për garantimin e një jetë të denjë për qytetarët. 

Ngjashëm, besoj nuk ka nevojë për shumë fjalë për punën që ka bërë dhe po vazhdon të bëj Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke u ofruar qytetarëve një shkallë mbrojtjeje përtej qeverive dhe instancave shtetërore të gjyqësorit, por edhe duke vendosur Standarde të reja të zbatimit dhe aplikimit të të drejtave të njeriut, standarde këto që dita e ditës po gjejnë zbatueshmëri edhe më të gjerë në praktikën e gjykatave shtetërore, dhe po fitojnë statusin e zakonit ndërkombëtarë. 

Në aspektin praktik, roli i të Drejtës Ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut është dëshmuar veçanërisht në rastin e Kosovës. Duke kujtuar zhvillimet historike, Kosova në vitin 1998-1999 është përballur me krizë humanitare, ku nuk ka ekzistuar mekanizma ligjorë të brendshëm për të zgjidhur problemet. Të drejtat e qytetarëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe të drejtat më bazike si e drejta në jetë janë kërcënuar në mënyrë masovike nga regjimi i atëhershëm. E drejta ndërkombëtare, e ka dëshmuar vlefshmërinë e saj mu në atë kohë, duke u ofruar komunitetit ndërkombëtarë jo vetëm mundësinë ligjore por edhe obligimin për të reaguar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. 

Duke rikujtuar debatin ligjorë ndërkombëtarë, pamundësia e Këshillit të Sigurimit në rastin krizës humanitare në Kosovë, ka treguar një aspekt të marrëdhënieve ndërkombëtare të varur nga politika, përkundër Përgjegjësisë për të Mbrojtur, nuk kishin aftësinë e vendimmarrjes në Këshillin e Sigurimit. Sidoqoftë, fuqitë Euro-Atlantike, kanë gjetur mbështetjen tek normat e të Drejtës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, për të realizuar intervenimin e NATO-s, me qëllim të shmangies së një katastrofe të dytë humanitare, si ajo në rastin e Bosnjës. 

Zonja dhe Zotërinj,

Duke tentuar t’i qëndroj besnik premtimit se nuk do të futem në diskutim historik për të Drejtën Ndërkombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dëshiroj, që edhe për pak minuta të fokusohem edhe në një pikë jashtëzakonisht të rëndësishme, që i përket zbatueshmërisë së të Drejtës Ndërkombëtare në Kosovë. 

Duke pasur parasysh, se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës, dy këto organizatat kryesorë që kanë për qëllim dhe obligim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kjo e ka pamundësuar që Kosova të jetë palë nënshkruese e Konventave ndërkombëtare që ndërlidhen me të drejtat e njeriut. Proceduralisht për tu bërë palë nënshkruese e konventave të OKB-së, kërkohet që një shtet të jetë anëtarë apo të depozitoj kërkesën për aderim në konventë pranë Sekretarit të përgjithshëm. Gjë që për arsye politike ka qenë e pamundur të realizohet deri tani. Ngjashëm, edhe për Konventat e Këshillit të Evropës, kërkohet aprovim nga Këshilli i Ministrave qoftë unanimitet apo 2/3. 

Çka do të thotë kjo – në praktikë, duke mos qenë palë nënshkruese,  Kosova nuk është e obliguar që të respektoj asnjë nga këto pakte apo konventa ndërkombëtare, që janë instrumentet kryesore për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut. 

Por, fatmirësisht ky nuk është rasti në praktikë. Gjatë hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ne kemi bërë një veprim, mund të them shumë përparimtarë sa i përket aplikimit të së drejtës ndërkombëtare. Në bazë të nenit 19 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës  “normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës.” Që nënkupton se të gjitha normat  dhe standardet në kuadër të konventave dhe pakteve ndërkombëtare që kanë arritur statusin e zakoneve ndërkombëtare, apo statusin e të drejtës jus cogens janë drejtpërdrejt të zbatueshme në Kosovë. Për më shumë këto norma kanë epërsi ndaj të drejtës së brendshme kur ato ndeshen mes vete. 

Por kjo nuk është aspekti i vetëm në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, duke pasur parasysh problemet politike kundrejt rëndësisë së mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, përmes nenit 22 të Kushtetutës, ne kemi krijuar edhe një shkallë tjetër të garantimit të të drejtave minimale të garantuara me të drejtën ndërkombëtare. Sipas këtij neni, të drejtat dhe liritë e garantuara nga disa nga konventat ndërkombëtarë zbatohen drejtpërdrejt dhe kanë epërsi ndaj normave në legjislacionin e brendshëm. Në mënyrë specifike, sot në Kosovë aplikohet drejtpërdrejt konventat si: 

1.    Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
2.    Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
3.    Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
4.    Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
5.    Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
6.    Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
7.    Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
8.    Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.

Pra janë gjithsej 8 instrumente, që në plan të parë mund të duken pak, por si rezultat i aplikueshmërisë së tyre, gjykata në Kosovë janë të obliguara të zbatojnë, përkatësisht të vendosin për rastet e ndryshme në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe trupave të tjera ndërkombëtarë. 

Sidoqoftë, një ndër problematikat që ende mbetet për qytetarët e Kosovës, është pamundësia që të kërkojnë mbrojtje nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e garantuara në këto Konventa. 

Kosova edhe më tutje mbetet jashtë një pjese të konsiderueshme të mekanizmave ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu OKB-në dhe Këshillin e Evropës, si rezultat qytetarët e Kosovës ende nuk mund të sjelli padi prani Gjykatës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut, kundër Kosovës. Jo vetëm kjo, por një çështje edhe më e komplikuar sa i përket Locus Standi në GJEDNJ, edhe mundësisë praktike të realizimit për paditë që qytetarët e Kosovës nuk mund ti bëjnë ndaj Serbisë. 

Marr shembull nga praktika, interesimin nga qytetarët tanë për të paditur Qeverinë e Serbisë, për çështjet e pensioneve, që u janë ndaluar qytetarëve për punën e tyre shumë vjeçare. Kjo Gjykatë i ka kthyer mbrapa për shkak të mos shtjerjes së mjeteve juridike të brendshme, gjë që për momentin është  e pamundur të realizohet praktikisht. Por mendoj se vetë fakti që për shkak të rrethanave politike, një gjë e tillë është e pamundur të realizohet praktikisht, atëherë Gjykata do të duhej të konsideronte se veç janë shterur mjetet juridike të brendshme. Kjo është vetëm një nga at pikëpyetjet interesante që ndërlidhet me zbatimin e të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Kosovë. 

Ekzistojnë edhe shumë e shumë, çështje të tjera që ndërlidhen me të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht për sa i përket shkeljes së të drejtave për vite të tëra nga qeveria Serbe, deri tek të drejtat që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale, si e drejta për të ditur (fati i viktimave), e drejta për drejtësi (përgjegjësia për krimet e kryera), e deri tek reparacionet ( kërkimfalje). 

Mua më vjen mirë, që ne sot, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, po diskutojmë për liritë dhe të drejtat e njeriut. Pikërisht në këtë sallë, janë miratuar ligje të mira, dhe presim që të miratohen ligje edhe më të mira për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht, besoj, se kjo sallë është vendi ku diskutohet pa bërë dallime politike për fokusin e lirive dhe të drejtave të njeriut në aspektin teorik dhe praktik, të implementimit dhe aplikimit të tyre në Kosovë.

Unë e mbështes punën e këtij samiti, dhe jam shumë i bindur që Kosova dhe rajoni me samite të tilla do të përfitojnë më shumë nga standardet ndërkombëtare dhe ne do t’i përcjellim me vëmendje rekomandimet tuaja për t’i implementuar ato në praktikë.

Me lejoni të përfundoj duke konstatuar se, liritë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë ne janë vlera, dhe duhet të bëjmë sa më shumë që këto vlera ti mbrojmë me sistemin tonë juridik. 

Foto Galeria

Skip to content