Skip to content
Kuçi: Të identifikohen prioritetet në fushën e sundimit të ligjit

Kuçi: Të identifikohen prioritetet në fushën e sundimit të ligjit

Prishtinë, 21/11/2011

Në një seminar të organizuar nga Bordi Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Hashim Thaçi, u diskutua për identifikimin e prioriteteve në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit për vitin e ardhshëm.

Bashkëkryesuesi i këtij bordi, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se është e rëndësishme që sot të pajtohemi dhe përqendrohemi për të identifikuar prioritetet në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit për vitin e ardhshëm. “Në vazhdën e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit, në ketë takim kam ftuar edhe përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të gjyqësorit, që edhe ata t’i paraqesin prioritetet dhe shprehin qëndrimin e tyre se si bashkërisht mund të arrijmë synimet tona, por që asnjëherë duke mos cenuar integritetin dhe pavarësinë e tyre”, tha Kuçi. 

Zëvendëskryeministri tha se ka kërkuar nga të gjitha institucionet që merren me rendin dhe sundimin e ligjit, të punojnë intensivisht dhe të krijojnë vizionin e tyre, të prodhojnë analiza të sakta mbi problemet në fushën e sundimit të ligjit. Ai shprehi besimin e tij se Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me misionin e EULEX-it, Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian dhe Institucionet tjera vendore, do të forcojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin për arritjen e synimeve të përbashkëta në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. 

Me tutje Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, paraqiti prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. ”Koordinimi i sistemit të drejtësisë, plotësimi i legjislacionit në fushën e sistemit të drejtësisë, funksionalizimi dhe strukturimi i Gjykatave dhe Prokurorive të Kosovës, funksionalizimi i gjykatave dhe prokurorive në veri të Kosovës, zbatimi i plotë dhe i njëllojtë i ligjeve në gjithë territorin e Kosovës dhe bartja e kompetencave të drejtësisë nga EULEX-i, tek institucionet vendore, janë prioritetet e MD-së për vitin e ardhshëm”, tha Kuçi.

Po ashtu, Kuçi tha se Ministria e Drejtësisë do të angazhohet që të bëjë funksional edhe sistemin e ndërmjetësimit, të rrisë efikasitetin e procedurave për dhënien e provimit të jurisprudencës, të shtojë kapacitetet për të funksionalizuar tërësisht Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar dhe sigurimin e një databaze të integruar për të gjitha Qendrat e Shërbimit Korrektues, që sipas tij, do të ndihmonte edhe në evitimin e korrupsionit në këto qendra.   

Foto Galeria

Skip to content