Skip to content
Kuçi: Themelet e luftës kundër korrupsionit janë ligjet e mirëfillta

Kuçi: Themelet e luftës kundër korrupsionit janë ligjet e mirëfillta

Prishtinë, 21/12/2012

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të këtij takimi, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: “ Si Ministër i Drejtësisë dhe si Zëvendëskryeministër për Rend dhe Ligj besoj fuqishëm që themelet e luftës kundër korrupsionit janë pikërisht ligjet e mirëfillta dhe pikërisht në këtë drejtim jam përpjekur që ta drejtoj Ministrinë e Drejtësisë, e cila e mbanë rolin kyç në krijimin e bazës ligjore kundër korrupsionit. 

Për fillim, më lejoni që të përmend se Ministria e Drejtësisë, këtë vit ka hartuar një pako jo të vogël të ligjeve të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do të kontribuojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Kodi i ri Penal, Kodi i ri i Procedurës Penale, Ligji për mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, Ligji për mbrojtjen e informatorëve, Ligji për përgjegjësin penale të personave juridik dhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale)

Në këtë kuptim miratimi i Kodit i ri Penal, Kodit i ri të Procedurës Penale dhe Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale, kanë shënuar hapat më të rëndësishëm në fushën legjislative kundër korrupsionit për vitin që po e lëmë pas. 

Vlen të përmendet, se ndryshimet që janë paraparë në këto ligje kanë sjellë ndryshime përmbajtjesore që parandalojnë dhe atakojnë korrupsionin si fenomen dhe rrisin dënimet e lidhura me të. 

Kodi i ri Penal parasheh ndër të tjera: Kompensimin e dëmit të shkaktuar me vepër penale, Konflikti i interesit – dënohet edhe me burgim deri në 3-5 vite; Keqpërdorimi i detyrës zyrtare – dënohet me deri në 12 vite burgim; Rritja e dënimi për pranimin e ryshfetit apo mitos; është kriminalizuar dhënia e ryshfetit edhe ndaj zyrtarëve të huaj- jo vendorë; Janë rritur shumë dënime për vepra të kësaj natyre, duke përfshirë këtu  Ushtrimi i ndikimit, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare, Falsifikimi i dokumentit zyrtar, Arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme etj. (Është kriminalizuar edhe mosraportimi, raportimi i rrejshëm i pasurisë apo të ardhurave. 

Amandamentimi në Kodin e Procedurës Penale, do të rrisë efikasitetin e procedurës penale që ndihmon prokurorët dhe gjyqtarët tanë që të arrijnë vënien e drejtësisë në mënyrë sa më të drejtë dhe efektive në luftimin e korrupsionit:

o    Ky Kod parasheh rregullim më të mirëfilltë të masave të fshehta të hetimit, përgjimeve, simulimeve dhe marrjen e të dhënave financiare shumë më parë në procedurë; Mundëson një proces për të identifikuar, bllokuar dhe konfiskuar të mirat materiale- dobitë pasurore nga vepra penale; Është përmirësuar mundësia e marrjes së dëshmive financiare dhe prezantimit të tyre para gjykatësve. 
o    Në përgjithësi, efikasiteti i sistemit do të përmirësohet dukshëm, që do të thotë do të kemi procedura më të shpejta penale dhe me prova më të mira kundër keqbërësve. Kjo do të thotë që edhe të korruptuarit do të ballafaqohen me drejtësinë në mënyrë më të shpejtë dhe më të drejtë. 
o    Kodi i ri Procedurës Penale ka përmirësuar gjithashtu kontrollin dhe bilancin e palëve të involvuara në procedurë në mënyrë që të sigurohet se asnjë pjesë e sistemit të mos jetë shumë e fuqishme apo shumë më e dobët se tjetra dhe kështu të eliminohet mundësia e korruptimit të ndonjërës. 

Ministria e Drejtësisë ka arritur po ashtu që të procedojë edhe Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale që drejtpërdrejt rregullon konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme pas marrjes së vendimit që personi të jetë shpallur fajtor për veprën penale përkatëse. Sipas këtij projektligji, konfiskimi i pasurisë do të bëhet me vendim të gjykatës sipas kërkesës së prokurorit.

Me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore e institucionale është përcaktuar që 20 % e shumës së pasurisë së konfiskuar të ndahet për financimin e ngritjes së kapaciteteve dhe punën e sistemit gjyqësor, prokurorial dhe të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar.

E nderuara Presidente, më lejoni që të rikujtoj sot këtu se Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar ngushtë, por edhe i është përgjigjur të gjitha kërkesave të institucioneve të gjyqësorit për përmirësimin e legjislacionit në përgjithësi e veçanërisht atij i cili është i dedikuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë proces ne kemi përfshirë gjithnjë rekomandime nga përfaqësuesit e EULEX-it, Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadës amerikane, ekspertëve të ndryshëm ndërkombëtar dhe vendor,etj., me qëllim që ky legjislacion të jetë në harmoni të plote me legjislacionin e BE-së. 

Nga të gjitha këto të dhëna që përmenda më parë, e që përbëjnë vetëm një pjesë të punës se madhe që po bëhet në këtë drejtim, mund të shihni seriozitetin dhe rëndësinë e veçantë që i është dhënë luftës kundër korrupsionit nga Qeveria.   

Ne do të intensifikojmë edhe më tej angazhimin tonë në vitin e ardhshëm duke proceduar amandamentimin e Ligjit për Gjykata e që lidhet drejtpërdrejtë me procedurën efikase penale kundër rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.  

(Ju njoftoj se do të themelohen dhoma të veçanta brenda gjykatave themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë të cilat do të jetë kompetente vetëm për veprat penale nën kompetencën e Prokurorisë Speciale. Kjo do të mundësojë:

1.    Që të rritet kualiteti i gjykimit dhe vendimeve të marra nga gjyqtarë tani të profilizuar për gjykimin e këtyre veprave të rënda penale; dhe
2.     Që këto raste të trajtohen me prioritet nga secila gjykatë dhe kështu të gjykohen më shpejtë.)

Në fund, dua të rikonfirmoj vendosmërinë tonë për të vazhduar me të gjitha mjetet të krijojmë një ambient sa me të favorshëm për institucionet që ta luftojnë korrupsionin dhe të pafavorshëm për ata që dëshirojnë ta zhvillojnë atë”.  

Foto Galeria

Skip to content