Skip to content
Kuçi: Vendet e rajonit ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën drejtë integrimeve evropiane

Kuçi: Vendet e rajonit ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën drejtë integrimeve evropiane

Prishtinë, 22/02/2012

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka vizituar Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku është pritur nga Rektori Prof. Dr. Zamir Dika me bashkëpunëtor.

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin ndëruniversitar, me ç’rast Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar nevojën e këtij bashkëpunimi dhe ngritjen e konkurrencës në arsimin e lartë në universitetet e dy vendeve. Po ashtu, Kuçi ka theksuar nevojën e rregullimit të çështjes së leje-qëndrimit të studentëve të Kosovës në Maqedoni, si dhe për procedurën e nostrifikimit diplomave të shkollave të mesme dhe fakulteteve te të dy vendeve.

Me pas, Zëvendëskryeministri Kuçi para studentëve dhe profesorëve të këtij universiteti ka mbajtur një ligjëratë me temën: “Integrimi i Evropës Juglindore në Unionin Evropian”, ku ndër të tjera ka theksuar synimet e rajonit për integrim në UE dhe domosdoshmërinë e përmbushjes se kritereve të kërkuar nga UE-ja, si dhe nevojën e bashkëpunimit nderë-fqinjësor dhe ndërtimin e shoqërive demokratike. 

Kuçi ka thënë se integrimi duhet të jetë i pandalshëm dhe i përnjëhershëm për tërë rajonin dhe ka shprehur mendimin se Unioni Evropian duhet të jetë unikë në qasjen për integrim të rajonit. Ai ka vlerësuar se integrimi ndikon në zhvillimin ekonomik të vendeve, ndihmon në demokratizimin, rritë influencën politike të secilit vend dhe krijon ambient të sigurt për popujt dhe rajonin.

Integrimi në UE sipas Kuçit ndihmon edhe në zgjidhjen e problemeve ndëretnike në rajon dhe ka shtuar se vendet e rajonit duhet ta ndihmojnë njeri-tjetrin dhe jo ta pengojnë në rrugët integruese.

Zëvendëskryeministri Kuci i është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të bëra nga të pranishmit e kësaj ligjërate. 

Foto Galeria

Skip to content