
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi priti sot Ambasadoren e Zvicrës, Krystyna Marty Lang, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Zvicër dhe për ndihmën që Qeveria Zvicerane i ka dhënë Qeverisë së Kosovës, si dhe për forcimin e këtij bashkëpunimi.
Gjatë takimit me theks të veçantë u diskutua për sistemin e Noterisë si një ndër projektet më të suksesshme të mbështetura nga Qeveria Zvicerane dhe zgjerimin e një partneriteti të ngjashëm edhe në fushat e tjera.
Zëvendëskryeministri Kuçi çmoi lartë punën që ka bërë Ambasada Zvicerane në Kosovë dhe mbështetjen që Qeveria Zvicerane ka dhënë për Ministrinë e Drejtësisë dhe për institucionet tjera, përmes projekteve të shumta, si në avancimin e sistemit të Noterisë, mbështetjen për Agjencinë Kosovarë të Pronave, grupin ndërministrorë për ballafaqim me të kaluarën e shumë projekte tjera.
Ambasadorja Lang në anën tjetër u shpreh shumë e kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e Kosovës, shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë Zvicerane për të vazhduar mbështetjen e projekteve të tilla që kontribuojnë në avancimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.