Me 63 vota për, sot Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar përbërjen e re të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, në bazë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Kuvendit, theksoi se ky vendim është rezultat i një vlerësimi të thelluar institucional të procesit të deritanishëm të organizimit të provimit, i cili ka evidentuar nevojën për ndërhyrje dhe përmirësim të standardeve profesionale dhe procedurale.
“Bazuar në kompetencat ligjore dhe përgjegjësinë për mbikëqyrjen e këtij procesi, Ministria e Drejtësisë ka analizuar tërë procesin dhe ka bërë një vlerësim gjithëpërfshirës për tre afatet e mbajtura nga Komisioni aktual për dhënien e Provimit të Jurisprudencës”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Duke iu referuar ankesave të pranuara, Ministrja theksoi se janë gjithsej 243 ankesa, të cilat në fokus kishin punën e Komisionit.
“Gjetjet e këtij vlerësimi evidentojnë mangësi të theksuara në disa aspekte thelbësore të procesit. Janë konstatuar devijime nga korniza programore dhe ligjore, përfshirë raste të hartimit të pyetjeve jashtë programit dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, tha Ministrja Gërvalla, duke shtuar më pas se edhe procesi i vlerësimit të përgjigjeve të kandidatëve është karakterizuar nga mungesë e arsyetimit të mjaftueshëm dhe mungesë e konsistencës, duke krijuar hapësirë për trajtim jo të barabartë të kandidatëve dhe duke cenuar parimet e objektivitetit dhe meritokracisë.
Sa i përket trajtimit të ankesave, Ministrja Gërvalla tha se është evidentuar mungesë e shqyrtimit substancial dhe individual, si dhe përdorim i përgjigjeve të standardizuara pa arsyetim konkret.
Ministrja Gërvalla gjithashtu vuri në pah dallimet në rezultatet e kalueshmërisë ndër vite.
“Në aspektin statistikor, analiza krahasuese e rezultateve ndërmjet dy periudhave tregon një shpërputhje të theksuar në standardin e vlerësimit. Ndërkohë që në periudhën 2023–2025 kalueshmëria në provim sillet në nivelin 3%–4%, në periudhën 2021–2023 ajo arrinte deri në mbi 34%”, deklaroi ajo.
Duke përmbledhur gjetjet, Ministrja Gërvalla tha se, për më shumë se dy vite, i tërë procesi me Komisionin aktual është shoqëruar me mungesë transparence, mosrespektim të kornizës programore dhe ligjore, vlerësim jo objektiv dhe të paargumentuar, si dhe parregullsi në dokumentim dhe në trajtimin e ankesave.
Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë ka propozuar dhe Kuvendi ka miratuar përbërjen e re të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, me qëllim garantimin e integritetit, transparencës dhe profesionalizmit të plotë në këtë proces të rëndësishëm.
Komisioni i ri do të përbëhet nga:
Arian Gashi, Kryetar i Komisionit, dhe Ersan Qavolli, zëvendësanëtar – E Drejta Penale (materiale dhe procedurale);
Lumni Sallauka, zëvendëskryetar, dhe Arsim Hamzai, zëvendësanëtar – E Drejta Civile (materiale dhe procedurale);
Anita Prenaj-Krasniqi, anëtare, dhe Suada Rama-Hamza, zëvendësanëtare – E Drejta Kushtetuese dhe Bazat e Sistemit Gjyqësor;
Burim Shala, anëtar, dhe Nehat Qelaj, zëvendësanëtar – E Drejta Tregtare, E Drejta e Punës dhe E Drejta Administrative;
Bujar Muzaqi, anëtar, dhe Hysni Ismaili, zëvendësanëtar – E Drejta Ndërkombëtare dhe E Drejta e Bashkimit Evropian.
Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë hapat e menjëhershëm për shpalljen e thirrjes për afatin e ardhshëm të mbajtjes së Provimit të Jurisprudencës, duke siguruar vijimësi të procesit dhe zbatim të standardeve të reja të përcaktuara.