
Përmes Plotësim Ndryshimit te Ligjit Nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, është synuar që të adresohen problemet dhe mangësitë që janë shfaqur përgjatë zbatimit të këtij ligji në praktikë. Qëllimi i këtij Projektligji është realizimi i objektivave për të përmirësuar qasjen në drejtësi, fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin më të lehtë dhe efikas të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale, zhdërvjtellësim të procedurave të ekstradimeve për të pasur ekstradime sa më të shpejta si dhe avancimin e legjislacionit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtare në çështje penale.
Projektligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Civile, ka ardhur si kërkese e gjyqësorit me qëllim që të lehtësohet ekzekutimi i kërkesave të parashtruara nga organet gjyqësore të huaja tek organet gjyqësore të Republikës së Kosovës.
Ky Ligj do të plotësojë mungesën e anëtarësisë së Republikës së Kosovës në Konferencën e Hagës dhe anëtarësimin në Konventat e saj. Përmes tij, do të pasqyrohet praktika e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe do të unifikoj zbatimin e procedurave ndërmjet organeve gjyqësore vendore me ato të shteteve tjera, sidomos me BE-në, e cila e lehtëson punën e përditshme të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe punën e përditshme të gjyqësorit vendor në ekzekutimin e këtyre kërkesave që vijnë nga gjykatat e huaja dhe anasjelltas.
Me këto dy projektligje avancohet tutje legjislacioni në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtare në çështje penale dhe civile, në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, miratimi i ë cilave mundëson ofrimin dhe realizimin më efikas të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet civile dhe penale, duke funksionalizuar me tej këtë fushë të bashkëpunimit.
Ndërsa sa i përket Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ky Projektligj ka qenë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka për qellim avancimin e mekanizmit për kompensim të viktimave të krimit dhe procedurave që lidhen me këtë program. Përmes këtij Projektligji, janë paraparë dispozita me qëllim të funksionalizimit sa ma efikas të Programit për kompensim të viktimave të krimit dhe procedurave që lidhen me këtë program.
Nga ana tjetër, me Projektligjin për Pronën Publike, synohet të rregullimi i të drejtës pronësore publike dhe të drejtave të tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale. Përmes këtij Projektligji ndalohet mundësia e fitimit të pronësisë në pronat publike përmes parashkrimit fitues si dhe me ndërtimin e objektit, në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.
Me miratimin e këtyre projektligje, plotësohet kuadri ligjor në fushat përkatëse sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, kompensimit të Viktimave të Krimit dhe çështjeve të pronës publike.