Skip to content
Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Kosovës dhe Suedisë

Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Kosovës dhe Suedisë

Prishtinë, 13/11/2026
Me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot Marrëveshjen për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Kjo Marrëveshje parasheh që personat e dënuar të vazhdojnë vuajtjen e dënimit në shtetin me të cilin kanë lidhje të qëndrueshme shoqërore, përkatësisht në shtetin e vendbanimit të tyre të përhershëm.
Duke prezantuar Marrëveshjen para deputetëve, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e rehabilitimit dhe riintegrimit shoqëror si pjesë përbërëse të qëllimit të ekzekutimit të dënimit.
“Rehabilitimi dhe riintegrimi shoqëror janë pjesë përbërëse e qëllimit të ekzekutimit të dënimit. Në këtë proces, ruajtja e lidhjeve familjare dhe shoqërore ka rëndësi të veçantë për personat e dënuar dhe riintegrimin e tyre pas përfundimit të dënimit”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje, ajo tregoi se Marrëveshja tashmë e miratuar, përcakton kushtet dhe procedurat e transferimit, kompetencat e autoriteteve përkatëse dhe mënyrën e vazhdimit të ekzekutimit të dënimit, duke garantuar respektimin e të drejtave të personave të dënuar dhe zbatimin e detyrimeve përkatëse juridike.
Sipas Ministres Gërvalla, kjo formë e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërthur përgjegjësinë penale me aspektin rehabilitues të drejtësisë dhe forcon bashkëpunimin juridik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.

Foto Galeria

Skip to content