
Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me shumicë të votave të deputetëve u votua në lexim të dytë Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.
Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave ka për qëllim përcaktimin më të qartë të procedurave të deklarimit të pasurisë, ri klasifikimi i pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit.
Po ashtu përmes këtij Projektligji është paraparë rritja e bashkëpunimit të agjencisë për parandalimin e korrupsionit me institucionet relevante në lidhje me shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve në lidhje me deklarimin e pasurisë, rritja e numrit të zyrtarëve që i nënshtrohen kontrollit të plotë çdo vit si dhe ashpërsimi i masave ndëshkimore ndaj personave që nuk e deklarojnë pasurinë.
Projektligji ndër të tjera mundëson deklarimin e pasurisë online me qëllim që të evitohet çdo gabim potencial, të kontribuojë në ngritje të transparencës dhe do të mundësojë përcjelljen e trendëve të pasurisë së zyrtarëve publikë.