
Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, i cili përmbanë edhe disa risi që përbëjnë reforma në kuadër të kësaj fushe.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se në kuadër të reformës institucionale, ky Projektligj parasheh një reformim rrënjësor në shërbimet sociale dhe familjare, saktëson kompetencat institucionale përgjegjëse në nivel komunal e qendror si dhe klasifikon këto shërbime në tri nivele, parësore, dytësore dhe tretësore.
Risitë:
1. Bënë klasifikimin e shërbimeve sociale dhe familjare në tre lloje të shërbimeve: në Shërbime Parësorë, Dytësore dhe Tretësore
2. Saktëson kompetencën për institucionet përgjegjëse të nivelit komunal dhe qendror, të cilat duhet të ofrojnë shërbimet sipas klasifikimit të shërbimeve.
3. Vendos theks në fuqizimin e institucioneve – qendrave për punë sociale, të cilat duhet të punojnë në identifikim të hershëm dhe parandalim, në veçanti në rastet e dhunës në familje, dhunës në baza gjinore, keqtrajtimin dhe abuzimin të fëmijëve e të moshuarave, fëmijët në gjendje rruge dhe rastet tjera të cilat konsiderohen në nevojë sociale
4. Fuqizon konceptin e strehimit familjar dhe konceptin e familjes strehues për fëmijët pa përkujdesje prindërore
5. Adreson rregullimin e jetesës së pavarur të mbikëqyrur e cila është një formë e re e kujdesit social për të rinjtë +18 të cilët për deri sa kanë qenë fëmijë kanë qenë nën kujdesin e njërës nga format të mbrojtjes sociale, në veçanti fëmijët me nevoja të veçanta.
6. Adreson financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale dhe familjare përmes procedurës së kontraktimit dhe partneritetin publiko-privat.
7. Parasheh krijimin e një data baze unike dhe të standardizuar në nivel shteti, në të cilën janë të evidentuara llojet e shërbimeve, institucionet shtetërore, OJQ-të e licencuara, personat fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbime sociale dhe familjare
8. Fuqizon divizionin e mbikëqyrjes dhe inspektoratit duke ju dhëne kompetencën e shqiptimit të masave adekuate ligjore për subjekte dhe individ të cilët nuk respektojnë kushtet dhe standardet ligjore te ofrimit të shërbimit.
Po ashtu Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për Falimentimin.
Ministrja Haxhiu tha se kjo analizë është bërë përmes Koncept Dokumentit, të miratuar nga Qeveria, duke mundësuar që, përmes vlerësimit të legjislacionit ekzistues dhe zbatimit të tij në praktikë, të identifikohen mangësitë ekzistuese në fushën e falimentimit.
Risitë:
1. Parimet e procedurës – ashtu që është përfshirë dispozitë që parasheh se në rastet e vdekjes së debitorit individual, procedura e falimentimit vazhdon të zhvillohet me prezumimin se trashegimtarët trashëgojnë të drejtat dhe detyrimet sipas ligjit në fuqi për trashëgimi;
2. Nga pragu i deritashëm prej dy kreditorëve për të inicuar procedurën e falimentimit ndaj debitorit, është shtuar edhe mundësia që edhe kreditori i vetëm të mund të iniciojë këtë procedurë, kjo në rastet kur borxhi është mbi tridhjetë mijë euro. Ky është edhe ndryshimi kryesor, sepse deri tani në praktikë është parë si pengesë kushtëzimi që vetëm dy e më shumë kreditorë mund të paraqesin kërkesën për falimentimin e debitorit;
3. Janë përcaktuar rregullat e shitjes së aseteve në procedurë të likuidimit, duke vendosur si parim maksimizimin e vlerës dhe duke e kushtëzuar shitjen në ankande publike konform dispozitave të ligjit të procedurës përmbarimore;
4. Juridiksioni i gjykatës në zbatimin e procedurës së falimentimit është harmonizuar me Ligjin për Gjykatën Komerciale;
5. Është specifikuar procedura e pagesës së kreditorëve të siguruar;
– Janë specifikuar dokumentet e nevojshme që kërkohen për inicimin e rastit të falimentimit nga ana e debitorit konform dispozitave të Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Ky ndryshim mundëson qartësim të procedurës për gjykatën dhe eliminon mundësinë e zvarritjes së procedurës;
6. Është paraparë mundësia që në rastet kur pasuria e falimentimit nuk garanton mbulimin e shpenzimeve administrative për administrimin e rastit, debitori të depozitojë, me kërkesën e gjykatës, në një llogari në mirëbesim një shumë për mbulimin e këtyre shpenzimeve;
7. Janë shtuar dispozita që qartësojnë procedurat për mbylljen e rastit të riorganizimit dhe likuidimit, duke paraparë obligimin për paraqitjen e raportit përfundimtar në gjykatë nga ana e administratorit falimentues, gjë që deri tani ka munguar dhe ka shkaktuar paqartësi dhe zvarritje të procedurës;
8. Janë ndryshuar dispozitat që rregullojnë tarifat e administratorëve, duke i hequr specifikat nga ligji dhe duke mundësuar rregullimin e tarifave me akt nënligjor ashtu siç është e rregulluar edhe te profesionet e tjera të lira;
9. Oda e Administratorëve Falimentues është përfshirë në ligj si në rastet e profesioneve të tjera të lira, gjë që deri tani nuk ka qenë e rregulluar me ligjin ekzistues;
10. Janë përfshirë dispozitat përkatëse që rregullojnë mbikëqyrjen dhe procedurat disiplinore ndaj administratorëve falimentues, gjë që nuk është e rregulluar me ligjin në fuqi, me qëllim që të garantohet mbikëqyrja dhe llogaridhënia e administratorëve falimentues.