Në fjalën e saj gjatë prezantimit para deputetëve, Ministrja Haxhiu theksoi se Qeveria nuk ka përpiluar një ligj të ri, por vetëm ka adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i konsideroi në kundërshtim me Kushtetutën, të cilat ndryshime janë përfshirë në pjesë të caktuara të katër neneve, bazuar në konstatimet e Gjykatës.
“Një ndër çështjet më të rëndësishme është konfirmimi i kushtetutshmërisë së konfiskimit civil si një instrument legjitim dhe proporcional për luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, një arritje e madhe për shtetin e së drejtës”, shtoi Haxhiu.
Çështjet kryesore të adresuara përfshijnë retroaktivitetin e ligjit, pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar, por gjithashtu përfshinë edhe përbërjen e Komisionit Mbikëqyrës, në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve.
Me miratimin e këtij ligji, Kosova forcon edhe më tej përkushtimin e saj për forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një shoqërie të drejtë dhe transparente.