
Programi synon të ndryshojë sjelljet dhe mendësinë e kryerësve të dhunës nëpërmjet një rrugëtimi transformues që çon drejt sjelljeve jo të dhunshme dhe të respektueshme në marrëdhëniet ndërpersonale. Me theks të veçantë, Programi përqendrohet në rehabilitimin e kryerësve, ndërkohë që synon të sigurojë mbështetje dhe siguri të nevojshme për viktimat e tyre.
Përpara se Programi të fillojë fazën pilotuese në Qendrën Korrektuese në Dubravë, Ministria e Drejtësisë ka kryer një vlerësim të plotë të kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore në Qendrat e Shërbimit Korrektues dhe Sprovues. Rezultatet e këtij vlerësimi treguan se Qendra Korrektuese në Dubravë dhe Qendra Sprovuese në Ferizaj kanë kapacitetet e nevojshme për të filluar pilotimin.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt parandalimit dhe ndalimit të ciklit të dhunës në familje. Ajo shprehu falënderime ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në hartimin dhe zhvillimin e Programit, përfshirë Këshillin e Evropës, organizatat ndërkombëtare, dhe zyrat e përfshira në krijimin e kurrikulës.
Në fund, Ministrja Haxhiu bëri thirrje për bashkëpunim dhe përkrahje nga të gjitha institucionet dhe shoqëria civile në zbatimin e këtij programi të veçantë.
Ky aktivitet u mbajt në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me Bazë Gjinore”.