Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, GIZ-in dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Gjermanisë, lansoi modulet e certifikimit dhe licencimit për ndërmjetësuesit, administratorët e falimentues, noterët dhe përmbaruesit privat.
Në hapje të aktivitetit, Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, theksoi se ky projekt paraqet një hap të madh drejt modernizimit të shërbimeve dhe forcimit të profesionalizmit, integritetit dhe transparencës në këto profesione. “Ky sistem është një premtim i mbajtur ndaj qytetarëve – për një drejtësi më efikase, më të qasshme dhe të bazuar në standarde të larta profesionale. Sot vendosim themelet e një procesi të ri, ku licencimi nuk është vetëm një procedurë, por një garanci për shërbime të sigurta dhe cilësore,” tha Ministrja Haxhiu.
Ky sistem i digjitalizuar i licencimit do të sigurojë procedura të thjeshtuara, verifikim të shpejtë dhe ruajtje të standardeve të kërkuara nga ligji. Përmes moduleve të reja, profesionistët do të kenë mundësinë të certifikohen mbi bazën e meritës dhe aftësive të dëshmuara, duke forcuar llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve.
Ngjarja u përshëndet edhe nga Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, Këshilltari i Kryeministrit, z. Lulëzon Jagxhiu, dhe udhëheqësja e projektit nga GIZ, znj. Vanessa Sabelski, të cilët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë institucional dhe mbështetjen për reformat në sektorin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të zbatojë politika dhe masa që forcojnë shtetin e së drejtës, rrisin cilësinë e shërbimeve dhe afron Kosovën me standardet evropiane të qeverisjes dhe drejtësisë.