Skip to content
Lansohet studimi “Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”

Lansohet studimi “Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”

Prishtinë, 25/01/2023

Në këtë takim, ministrja Haxhiu tha se studime të tilla patjetër se i kontribuojnë përpjekjeve tona të përbashkëta për përmirësim të sistemit të drejtësisë që të jetë sa më efektiv në ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe vënien e drejtësisë për viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se fatkeqësisht, edhe pse 24 vite pas luftës, viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, nga të gjitha kategoritë, ende nuk kanë marrë drejtësinë e merituar. Po ashtu me shqetësim tha se deri tani kemi vetëm një rast të dënuar për dhunë seksuale të ushtruar gjatë luftës në Kosovë, gjë të cilën e cilësoi jo vetëm si tregues faktik për drejtësinë e munguar por edhe për problemet brenda dhe jashtë sistemit tonë të drejtësisë

“Ende nuk i kanë parë shkaktarët e vuajtjeve të tyre të marrin dënimin e merituar, përkundrazi kryerësit e këtyre veprave kriminale vazhdojnë të jenë të lirë duke mohuar vazhdimisht krimet që kanë bërë”.

Në këtë ngjarje, Ministrja bëri të ditur se është duke shqyrtuar mundësitë për sigurimin e trajnimeve për gjyqtarët dhe prokurorët e të cilat do të i shërbejnë ngritjes profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve në adresimin e krimeve të luftës. Rastet e dhunës seksuale gjatë luftës janë ende më të komplikuara andaj na duhen persona të përgatitur, profesional dhe të cilët janë të njohur me parimet bazë në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës dhe viktimave të këtyre krimeve pa ju shkaktuar dëm shtesë.

Pavarësisht gjendjes aktuale ministrja shprehu bindjen se problemet me të cilat ballafaqohemi nuk janë të pazgjidhshme e as të pamundura që të adresohen, por që kërkohet përkushim më i madh dhe bashkëpunim më efektiv mes institucioneve përgjegjëse në mënyrë që të arrihet rezultati i dëshiruar.

Për studimin e bërë, Ministrja e Drejtësisë siguroi se rekomandimet e dala nga ky studim do të trajtohen dhe do të merren parasysh në përpjekjet institucionale për adresimin e krimeve të luftës.

Foto Galeria

Skip to content